Duka: Rama na ka premtur zgjidhjen, futbolli fillon shumë shpejt

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, shfrytëzoi praninë në një aktivitet të organizuar në “Football Republic” për të dhënë lajmin e mirë se ka marrë garanci nga kryeministri Edi Rama për plotësimin e kërkesave të Ligës Profesioniste, çka do të thotë se së shpejti do të nisin aktivitetet futbollistike në vend.

“Ne duhet të bashkojmë paratë me pasionin. Për këtë po luftohet, që përmes ndryshimit të legjislacionit të bashkohet pasioni me paratë. Pra, pasioni të mos bëhet gropë për familjen dhe shoqërinë. A do të fillojë futbolli? Shikoni, futbolli duhet të luhet dhe është e dëmshme ndërprerja e tij. Pra, është shumë i dëmshëm edhe për futbollistët. Një orë e më parë duhet luajtur futboll.

Nuk duhej të ndërpritej, duke arritur marrëveshjen gjatë lojës. Në një tavolinë të fundit që ka pasur Liga me qeverinë, na është premtuar se do të miratohet një nga dy propozimet. Unë kam pasur një takim me kryeministrin, sot, dhe më ka thënë që do ta marrë në konsideratë.

Fundi i bojkotit? Varet nëse Liga do të bindet me kaq apo do të ketë një zhvillim tjetër për të fituar futbolli. Nuk është çështje numrash. Një fond për sportin është pak, ka nevojë shumë më shumë për mbështetje. Unë s’e di nëse bëra mirë apo keq që e tregova këtë, por mendoj se kryeministri Rama do të japë vetë ndonjë prononcim. Kush nuk është i lumtur kur fillon futbolli, të gjithë jemi të lumtur.

Cili variant do të pranohet? Absolutisht nuk do të isha dakord me propozimin e Ministrisë së Financave për Ligjin e Sponsorizimit në sport. Nuk prodhon para. Ka prodhuar zero para për 25 vite dhe tani do të prodhoje zero herë tre. Nuk mund ta marrim në konsideratë. Teorikisht prodhon të njëjtën shifër, por aktuali nuk është funksional. Normalisht, kryeministri do të flasë me Ministrinë e Financave dhe vetë mund të dalë me ndonjë qëndrim”, deklaroi Duka.

SHKARKO APP