Duka: Tifozët shqiptarë do e “skuqin” Gjermaninë, rivalët në grup meritojnë respekt

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për median italiane “Sportpress24.com”, ku ka bërë një analizë të suksesit të fundit të kombëtares shqiptare, që u kualifikua për të dytën herë në histori në finalet e një Kampionatit Europian pas një edicioni të shkëlqyer në fushatën kualifikuese, ku arriti të renditej në vendin e parë të grupit E.

“Ne kemi nisur përgatitjet që pas ndeshjes kundër Çekisë, pasi pothuajse e kishim siguruar kualifikimin. Në planin organizativ kemi gjithçka gati, kemi përzgjedhur kampin bazë ku do të akomodohet ekipi ynë gjatë finaleve të Kampionatit Europian në Gjermani. Është një kompleks sportiv shumë i mirë në Kaiserau, shumë afër Dortmundit dhe Dyseldorfit, ku ne do të luajmë dy nga tre ndeshjet e grupit tonë.

Nuk vihet në dyshim që ky është një grup shumë i fortë, siç është etiketuar “Grupi i Ferrit”. Të treja skuadrat me të cilat do të ndeshemi, kanë vlera dhe nivele të padiskutueshme në futbollin europian, të cilat meritojnë respekt maksimal.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ne nuk duhet të bëjmë asgjë më shumë se sa kemi bërë në ndeshjet kualifikuese, impenjim maksimal, frymë skuadre, besim në skuadër e jo në vlera individuale, do të vlerësojmë çdo sekondë e minutë, do bëjmë më të mirën e do të synojmë të kalojmë grupin, dhe nëse arrijmë do të jemi të kënaqur, nëse shkojmë akoma më larg do të lumturohemi. Por për një gjë jam shumë i sigurt, që tifozët tanë do e “skuqin” Gjermaninë, do na mbështesin pa kursim e kjo do të jetë një tjetër armë e fortë për skuadrën”, tha Duka.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?