Duka uron Mario Mitajn për transferimin te Genoa: Do na përfaqësojë me dinjitet në Seria A!
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar Mario Mitajn për transferimin e tij te Genoa në Serie A, duke e cilësuar këtë lëvizje si një tjetër dëshmi të rritjes së futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Duka vlerësoi talentin, punën dhe përkushtimin e mbrojtësit të Kombëtares, duke theksuar se futbollistët shqiptarë po fitojnë gjithnjë e më shumë respekt në kampionatet më të forta europiane.
Urime Mario Mitajt për hapin e ri në karrierë dhe transferimin te Genoa!
Një tjetër dëshmi se futbolli shqiptar po fiton gjithnjë e më shumë respekt dhe vlerësim në arenën ndërkombëtare. Talenti, puna dhe përkushtimi i futbollistëve tanë po shpërblehen në kampionatet më të forta të Europës.
Çdo kuqezi që ngjitet në skena të mëdha frymëzon brezin e ri, lartëson emrin e Shqipërisë dhe na bën të gjithëve krenarë.
Jam i bindur se Mario do ta përfaqësojë me dinjitet futbollin shqiptar edhe në Serie A.
Suksese në këtë aventurë të re, Mario! Shqipëria është krenare për ty”, shkroi Duka.

