Duka zbulon kundërshtarët më të favorshëm për “Euro 2024”: Dua Gjermaninë dhe Serbinë
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” në televizionin “Klan” ku kanë folur gjatë për sukseset e arritura të Kombëtares, kualifikimin në Europianin “Gjermani 2024” dhe vendi i parë në Grupin E.
Presidenti Duka theksoi se ky ishte edicioni më i mirë kualifikuese për Kombëtaren, ndërsa deklaroi se kanë nisur edhe përgatitjet për Europianin. Për sa i përket shortit, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tha se do të dëshironte të përballej me Gjermaninë për të qenë edhe sfida hapëse e Europianit.
Ndjesia e parë, kur besuat se do të shkonim në Europian- “Nuk është se themi kot kemi talente, kemi futbollistë shumë të mirë, duke pasur një kontigjent të tillë padyshim që objektivi është të shkosh në një kompeticion madhor si Europiani. Që kur kemi bërë marrëveshjen me trajnerin Silvinjo dhe kur jemi takuar për herë të parë në Milano për të biseduar rreth këtij projekti, objektivi kryesor ka qenë për të shkuar në Europian. Duke pasur parasysh këtë skuadër, ndryshimin e kushteve në përgjithësi të skuadrës objektivi ka qenë gjithmonë Europiani, por dihet që gjithmonë objektivi jo në 100% të rasteve realizohet, padyshim që duhet të prisnim shortin dhe me kë do luanim. Nëse do kthehemi në kohë kush ishin objektivat realë ose llogaritë reale që ne bënim, ishte që ne në dy ndeshjet e fundit të vinim në garë, të luanim në dy ndeshjet e fundit për të qenë një nga skuadrat fituese, i pari ose i dyti, me mendimin më shumë për vendin e dytë. Realisht bëmë akoma më shumë. Nuk e mendonim kurrë. Ne kemi marrë nga katër pikë kundër gjithë skuadrave të grupit, përveç Polonisë që kemi marrë tre pikë kurse kundër tre të tjerëve kemi marrë nga katër pikë. Nuk kemi menduar që do shkonin kaq mirë 80% e ndeshjeve sepse realisht, të paktën në mendimin tim, dy ndeshjet e fundit kurrë nuk e kam menduar që do marrim dy pikë, kam menduar minimumi katër pikë.
Prandaj dhe futbolli është i bukur se nuk është shkencë ekzakte, kurrë nuk mund ta parashikosh. Nuk ishte një objektiv i parealizueshëm, duke parë përbërjen e skuadrës, janë 7-8 futbollistë që aktivizohen në Seria A, futbollistë që aktivizohen në La Liga apo në ligën e parë turke apo qoftë edhe Broja në Angli që është një nga kampionatet sot më të forta të botës, pavarësisht se Broja nuk ka pasur mundësi që të kontribuojë. Nuk ka pasur në asnjë rast mosmarrëveshje me Brojën. Është një talent që nuk na vjen shpesh dhe ne nuk kemi luksin që ta humbim. Vendi i parë në grup dhe të kualifikohesh në ndeshjen e parafaundit është me të vërtetë një rezultat shumë i mirë. Duke qenë që ne na mungojnë gjërat shumë të mira dhe mundësitë për të shpalosur ndjenjën Kombëtare dhe krenarinë tonë na bën që të jemi akoma më të interesuar dhe kjo e bëri edhe mbrëmjen ndaj Ishujve Faroe pak zhgënyese sepse pritshmëritë ishin shumë të mëdha. Tifozët janë për t’u falenderuar pasi në çdo rast e kanë mbështetur ekipin Kombëtar, jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë. Kur ishim në Moldavi, moldavët thanë që asnjëherë më parë nuk kanë pasur kaq shumë tifoza miqë. Të gjithë janë për t’u falenderuar në këtë edicion fantastik të ekipit Kombëtar. Të parët futbollistët, nuk është e lehtë, ne kemi futbollistë të mirë që luajnë në nivele të larta por kryesorja është që të krijosh një skuadër, janë për t’u falenderuar ata dhe trajneri bashkë me stafin. Mund të kesh vërtetë individ por nëse nuk bën një skuadër e cila funksionon si një e vetme, bashkë me administratorët e ekipit dhe drejtuesit teknik nuk arrin rezultat.
Shorti do të hidhet ditën e shtunë më dy dhjetor në Hamburg. Ka kohë që i kemi filluar përgatitjet edhe për akomodimin pasi rruga ishte drejt kualifikimit. Gjermaninë e kemi ndarë në tre rajone, nga katër hotele për çdo rajon. Shumë shpejt do të ngushtojmë rrethin nga një hotel për çdo rajon. Ndërsa dy ditë pas shortit do të shkojmë të vizitojmë hotelet dhe do të vendosim. Të gjitha hotelet kanë kushtet e domosdoshme të stërvitjes dhe të gjitha se çfarë i duhet një ekipi futbolli për t’u përgatitur. Ekipi Kombëtar do të grumbullohet në varësi të përfundimeve të kampionatit. Besoj se do të grumbullohemi 10 – 12 ditë përpara, do të vendosim bashkë me trajnerin dhe stafin se ku do të jetë më e përshtatshme në Shqipëri apo diku tjetër dhe dy ditë para se të nisë Europiani do të duhet të transferohemi në Gjermani, për të luajtur ndeshjet. Uroj që futbollistët t’i kemi me shëndet të plotë dhe të mos kemi dëmtime. Në mars kemi të programuar dy ndeshje miqësore, nuk i kemi përcaktuar kundërshtarët akoma, do të presim edhe shortin për të vendosur dhe pastaj para Europianit do të zhvillojmë edhe dy ose tre miqësore të tjera.
Ekipet janë të ndara në katër vazo. Shqipëria është në vazon e dytë dhe do të kemi kundërshtarë nga një nga çdo vazo, nga e para, e treta dhe e katërta. Aty nuk ka asnjë skuadër të dobët. Nëse do të nisemi me vlerësimin e skuadrave për nga historia, Shqipëria mund të konsiderohet me më pak rezultate. Nga skuadrat e vazos së parë më pëlqen të luajmë ndaj Gjermanisë. Jo vetëm që bëjmë ndeshjen hapëse, por mund të luajmë më mirë futboll kundër Gjermanisë pasi nuk më duket në momentin më të mirë. Gjithsesi janë të gjitha skuadra shumë të forta. E ke të vështirë t’i zgjedhësh dhe me dorë, kështu që çfarëdo që të sjellë shorti. Nëse do t’i zgjidhje me dorë, unë do të preferoja Gjermaninë tek vazo e parë, ndërsa në vazot e tjera Slloveninë ose Serbinë. Do të doja të shmangnim Italinë, pasi është një skuadër shumë e fortë dhe me traditë. Me Rumaninë kemi fituar njëherë në Europian dhe pse mos të fitojmë sërish“.
Talentet e reja drejt ekipit Kombëtar – “Kemi lojtarë të mirë që mund të jenë kandidatë, nuk mund të them gati për të luajtur me ekipin e parë por që luajnë në U-21, ka disa futbollistë të tjerë në Europë që janë pothuajse me një këmbë për ekipin kombëtar siç është Çuni që trajneri e ftoi për ndeshjen kundër Bullgarisë dhe pati disa minuta. Ka lojtarë të tjerë në Itali, në Gjermani që presim nëse do të bashkohen me ne. Çuni bëri një gol shumë të bukur në ndeshjen e parafundit kundër Berishës dhe kundër Ismajlit. Ka dhe futbollistë të tjerë, ka dhe futbollistë që luajnë për moshat e Italisë apo Gjermanisë që mund të vendosin të kthehen te ne. Nuk e di, është zgjedhja e tyre, ne i kemi kontaktuar dhe vazhdojmë t‘i kontaktojmë. Është Gruda që luan me Mainz dhe luan për kombëtaren e Gjermanisë, është Hasa që luan për kombëtaren e Italisë, është një tjetër që luan me Atalantën që luan edhe ai për kombëtaren e Italisë, të moshave.
Realisht, kanë luajtur për ne, kanë vazhduar me Italinë dhe mund të rikthehen. Janë talente të mira, ka edhe futbollistë që janë në ekipin U-21, kemi disa, Shpendi që luan me Empoli, një sulmues shumë i mirë, Berisha, që luan te Leçe. Fatkeqësisht është në të njëjtin pozicion me Ramadanin dhe duhet të mos luajë Ramadani që të luajë edhe ai në ekip. Kemi goxha futbollistë. Patjetër që ka ndikuar pozitivisht kualifikimi në Europian, duke parë jo vetëm rezultatin por edhe kushtet e krijuara sot në Shqipëri sepse shkëmbejnë informacione me njëri-tjetrin me futbollistët që janë këtu për kushtet që ato kanë në stërvitje, akomodim e të tjera me radhë dhe rezultati që është shumë i rëndësishëm është një faktor pozitiv për t’i bërë që të vendosin. Padyshim që zemra i thotë Shqipëri, shto edhe këto faktorë. Prindërit e futbollistëve në përgjithësi vendosin për Shqipërinë“, përfundoi Presidenti Armand Duka.