Duka zbulon për “Koha Jonë” planet për rivalët e Shqipërisë në miqësoret e qershorit
Kombëtarja shqiptare e futbollit pritet të nisë përgatitjet për edicionin e ardhshëm të UEFA Nations League me dy ndeshje miqësore në muajin qershor, të cilat sipas planit do të zhvillohen në Tiranë.
Gjatë një bashkëbisedimi me mediat, presidenti i Federata Shqiptare e Futbollit, Armand Duka, dha detaje mbi kundërshtarët e mundshëm të kuqezinjve, duke theksuar se bëhet fjalë për përfaqësuese që nuk janë kualifikuar në Kupën e Botës.
Pyetja u ngrit nga gazetari i “Koha Jonë”, Rozalb Lika, ndërsa Duka konfirmoi se një marrëveshje është shumë pranë finalizimit: “Miqësorja e parë është me Luksemburgun në Tiranë, por ende nuk e kemi firmosur zyrtarisht”.
Sa i përket ndeshjes së dytë, kreu i FSHF-së bëri të ditur se janë në diskutime: “Jemi në bisedime me shumë ekipe për ndeshjen tjetër, po në Tiranë. Mund të jetë Kili, Danimarka apo ndonjë skuadër tjetër”.
Duka hodhi poshtë gjithashtu zërat për përballje të tjera, duke sqaruar: “Me Italinë nuk kemi pasur asnjë bisedë. Po ashtu nuk kemi diskutuar për një miqësore me Kosovën”.
KOHA JONË SONDAZH

