Duro krenohet me sulmuesit ndaj Tiranës, kanë shënuar 71% të golave (VIDEO LAJM)

Kukësi nuk ka sulmin më të mirë në Kategorinë Superiore në numra, por ka padyshim sulmuesit më të mirë. Skuadra verilindore ka gjetur 35 herë rrugën e rrjetës, teksa 25 prej tyre i ka shënuar trinomi i sulmit Shkurtaj-Abazaj dhe Rroca.

Një ecuri e jashtëzakonshme e sulmit të skuadrës së Duros, që ka gjetur në vazhdimësi rrugën e rrjetës. Të pakta kanë qenë ndeshjet, që njëri prej tyre nuk ka vendosur rezultatin e takimeve. Kur shënon 71 për qind të totalit të golave të skuadrës, do të thotë se puna e këtij reparti deri më tani ka qenë e shkëlqyer.

Asnjë skuadër tjetër në Superiore nuk ka statistika të tilla. Duke folur për numrat, Shkurtaj është golashënuesi më i mirë i Kukësit me 14 gola, vetëm një më pak se Nuabueze. Pozitive mund të cilësohet edhe sezoni i Abazajt, i cili ka shënuar 7 gola deri më tani, teksa disa prej tyre kanë edhe shumë vendimtar. Njëri prej tyre i dha 3 pikët ndaj rivalit direkt për titull, Partizanit.

Rroca është sulmuesi i tretë i skuadrës verilindore, i cili ka luajtur më pak se dy të parët, duke gjetur vetëm 4 herë rrugën e rrjetës. Në këtë mënyrë duket se investimet e mëdha që janë bërë në sulm në fillim të sezonit duket se kanë dhënë përgjigjet e duhur. Garancia më e madhe e Kukësit për momentin është sulmi, teksa Tirana e Egbo duhet që të mendojë planin për të ndalur trinomin e ekipit verilindor, që kanë edhe mesfushor si Ethemi, i cili ka nuhatje shumë të mirë për golin. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP