Dy golat ndaj Atleticos nuk mjaftojnë, Gyokeres: Fantastike, por tani kam më shumë uri!
Pas fitores madhështore 4-0 të Arsenalit ndaj Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve, protagonisti absolut i mbrëmjes, Viktor Gyokeres, i cili realizoi një dopietë, ka ndarë emocionet e tij me mediat angleze.
“Është gjithmonë fantastike të shënosh gola, veçanërisht në një kompeticion si ky. Ndjesia është e pabesueshme. Këto momente të japin më shumë uri për të vazhduar. Sigurisht, gjithmonë përpiqesh të ndihmosh ekipin me përkushtim dhe sakrificë, por kur shënon gola, është diçka vërtet e veçantë,” u shpreh sulmuesi suedez i lumtur pas ndeshjes.
Gyokeres nuk kurseu fjalët e mira për shokët e ekipit dhe atmosferën brenda skuadrës.
“Mbështetja e shokëve të ekipit do të thotë shumë për mua, janë fantastikë. Mendoj se grupi që kemi dhe fryma që na bashkon është diçka ndryshe, vërtet e veçantë. Sot bëmë shumë gjëra siç duhet, dhe paraqitja ishte e jashtëzakonshme.”
Sulmuesi i Arsenalit tregoi edhe mesazhin që skuadra mori gjatë pushimit të pjesës së parë: “Në pushim, trajneri na kërkoi të vazhdonim me të njëjtin ritëm dhe të ishim më konkretë në rastet që krijonim. Dhe ashtu bëmë. Në pjesën e parë luajtëm mirë, por në të dytën ishim edhe më të qartë në finalizim.”
Në fund, Gyökeres theksoi rëndësinë e këtij suksesi për besimin e grupit: “Kur fiton ndeshje të tilla dhe zhvillon paraqitje të këtij niveli, krijon besim brenda skuadrës. Besimi duhet të jetë gjithmonë aty, por ndeshje si kjo e rrisin akoma më shumë. Duam të vazhdojmë në këtë rrugë.”
KOHA JONË SONDAZH

