Dy sfida evropiane, një ëndërr shqiptare! Egnatia dhe Dinamo kërkojnë hapin e madh drejt historisë
Futbolli shqiptar përjeton një tjetër natë të madhe në arenën evropiane. Dy skuadrat që kanë mbetur në garë nga Superliga, Egnatia dhe Dinamo City, zbresin sot në fushë për përballjet e para të raundit të tretë kualifikues, me objektivin për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt fazave të grupeve të kompeticioneve evropiane.
E para në aksion është Dinamo City, e cila udhëton drejt Letonisë për t’u përballur me Audën në kuadër të Conference League. Në “Skonto Stadium” të Rigës, blutë e kryeqytetit synojnë të ruajnë momentin pozitiv pas kualifikimit të arritur më herët, duke u mbështetur te organizimi në mbrojtje dhe kundërsulmet e shpejta. Përballë tyre do të jetë një skuadër që vjen me moral të lartë dhe që njihet për disiplinën taktike. Dinamo pritet të kërkojë një rezultat të favorshëm në transfertë, për ta mbajtur të hapur dhe në kontroll çështjen e kualifikimit.
Mbrëmja rezervon edhe sfidën më të madhe për kampionët e Shqipërisë. Në orën 21:00, Egnatia zbret në Dublin përballë Shamrock Rovers në UEFA Europa League. Për rrogozhinasit, kjo përballje përfaqëson një mundësi historike: kalimi i këtij raundi do t’u siguronte të paktën pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Conference League.
Edhe pse përballen me një kundërshtar të fortë në “Tallaght Stadium”, kampionët shqiptarë udhëtojnë me besimin se mund të shkruajnë një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e klubit. Gjithçka do të vendoset pas 180 minutash, me ndeshjet e kthimit që do të luhen më 13 gusht, ku Egnatia do të presë kundërshtarin në Shqipëri, ndërsa Dinamo do të rikthehet në “Elbasan Arena”.
KOHA JONË SONDAZH

