Dy shqiptarë bëjnë namin në Spanjë, grabisin shtëpitë e lojtarëve të Barcelonës
Policia katalanase ka arrestuar dy persona, të moshave 58 dhe 42 vjeç, të dyshuar për përfshirje në një seri vjedhjesh në banesa luksoze, mes tyre edhe në shtëpinë e portierit të Barcelonës, Joan García.
Sipas gazetës spanjolle Mundo Deportivo, ngjarja në banesën e gardianit katalanas ka ndodhur më 10 janar, kur ai ndodhej në Arabinë Saudite me skuadrën për të marrë pjesë në Superkupën e Spanjës.
Të dyshuarit dyshohet se shfrytëzuan mungesën e futbollistit për të hyrë në banesën ku ai jetonte me partneren e tij, në zonën e Baix Llobregat, në Katalonjë. Megjithatë, sistemi i alarmit bëri të mundur ndërhyrjen e policisë.
Hetimet zbuluan gjithashtu se personat e arrestuar kishin vëzhguar edhe banesën e mbrojtësit francez të Barcelonës, Jules Koundé, duke përgatitur terrenin për një grabitje të mundshme. Ky plan, sipas raportimeve, nuk u vu në zbatim.
Autoritetet dyshojnë se të arrestuarit janë pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në vjedhjen e disa banesave luksoze në Katalonjë.
Sipas të njëjtit burim, njëri prej të dyshuarve, shqiptar me iniciale A.B, njihet nga policia për precedentë të mëparshëm dhe dyshohet se ka pasur rol drejtues në këto operacione.
Dy burrat nga Shqipëria janë lënë në paraburgim në pritje të procedurave të mëtejshme gjyqësore, ndërsa një grua tjetër e përfshirë në hetim është liruar pas paraqitjes përpara gjykatësit.

