Dyshime për miliona euro të padeklaruara, Infantino nën presion për pagat dhe vilën luksoze në Miami
Një investigim i gazetës britanike “The Times” ngre pikëpyetje mbi transparencën e të ardhurave të presidentit të FIFA-s. Përveç pagës zyrtare prej 4.57 milionë eurosh në vitin 2024, Gianni Infantino dyshohet se ka përfituar edhe mbi 1.6 milionë euro nga kompania amerikane e organizimit të Botërorit 2026.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është vënë në qendër të një debati mbi transparencën financiare, pas një investigimi të gazetës britanike “The Times”, e cila raporton për pagesa shtesë që nuk figurojnë në raportin vjetor të organizatës më të lartë të futbollit botëror.
Sipas gazetës, Infantino ka marrë gjatë vitit 2024 më shumë se 1.6 milionë euro shtesë nga kompania amerikane përgjegjëse për organizimin e Kupës së Botës 2026. Kjo shumë i shtohet pagës prej 4.57 milionë eurosh të deklaruar zyrtarisht nga FIFA për të njëjtin vit.
Burime të cituara nga “The Times” pretendojnë se pagesa të ngjashme, madje edhe më të larta, mund të jenë kryer edhe gjatë viteve 2025 dhe 2026. Megjithatë, shumat dhe mënyra e trajtimit të këtyre pagesave mbeten objekt pikëpyetjesh.
Çështja ngre shqetësime mbi zbatimin e rregullave të vetë FIFA-s për transparencën e të ardhurave të drejtuesve të saj. Neni 43 i statutit të organizatës parashikon publikimin e shpërblimeve financiare individuale të presidentit, anëtarëve të Këshillit dhe sekretarit të përgjithshëm.
Miguel Maduro, ish-kryetar i komitetit të qeverisjes së FIFA-s, i ka cilësuar pagesat e raportuara si një shkelje të qartë të rregullave dhe ka kërkuar një hetim të pavarur për të sqaruar rrethanat e çështjes.
“Presidenti duhet të paguhet shumë mirë, por kjo duhet të jetë transparente”, deklaroi Maduro për “The Times”.
Deri më tani, pikëpyetja kryesore mbetet arsyeja përse pagesat shtesë të raportuara nga gazeta nuk shfaqen në raportin vjetor të FIFA-s.
Investigimi ngre gjithashtu pikëpyetje mbi shpenzimet e banimit të Infantinos në Miami, ku presidenti i FIFA-s raportohet se ka pasur në dispozicion një vilë luksoze në zonën ekskluzive të Sunset Islands.
Sipas burimeve të cituara nga gazeta, një pjesë e përfitimeve shtesë mund të ketë lidhje me shpenzimet e strehimit. Një zëdhënës i pronarit të vilës ka deklaruar se Infantino ka paguar qiranë sipas çmimeve të tregut për një periudhë trevjeçare dhe se nuk jeton më në atë pronë.
Nga ana e saj, FIFA ka mbrojtur mënyrën e administrimit të shpërblimeve dhe përfitimeve të drejtuesit të saj. Organizata pretendon se këto çështje trajtohen nga nënkomiteti përkatës dhe se informacioni u komunikohet autoriteteve amerikane në përputhje me detyrimet ligjore.
Megjithatë, FIFA nuk ka sqaruar publikisht, sipas raportimit të “The Times”, përse shumat shtesë nuk janë përfshirë në raportin vjetor të organizatës.

