Dzeko dhe Fosenca sinjale paqeje te Roma, boshnjaku nis stërvitjen me grupin

“Dzeko-Fonseca, tani luftoni të bashkuar për fanellën e Romës”. Kjo ishte pankarta e shpalosur nga tifozët verdhekuq, që u bënin apel trajnerit e kapitenit, por edhe klubit të Romës, të bëjnë paqe dhe të mendojnë për të mirën e ekipit.

Raportet e Fonsecës me Dzekon u prishën pas ndeshjes me Spezian në Kupën e Italisë, ku verdhekuqtë u eliminuan, ndërsa më pas tekniku portugez la sulmuesin boshnjak të stërvitet i vetëm dhe nuk e grumbulloi dy ndeshje radhazi. Drejtuesit e klubit i kërkuan trajnerit portugez që të bëjë një armëpushim me sulmuesin boshnjak, për të bashkëjetuar deri në fund të sezonit.

Hapi i parë është bërë sot, pasi Fonseca autorizoi bashkimin e Dzekos me ekipin për t’u stërvitur në kuadër të përgatitjeve për sfidën e fundjavës ndaj Juventusit në “Allianz Stadium”, megjithatë rikthimi në fushë i sulmuesit pritet të mos ndodhë këtë javë.

Kjo pasi trajneri portugez nuk ka ndërmend t’i heqë shiritin e kapitenit mesfushorit Lorenzo Pellegrini, por as të ulë në pankinë spanjollin Borja Mayoral, i cili ka luajtur mirë dhe ka udhëhequr skuadrën me golat e tij.

 

SHKARKO APP