E bujshme/ David Alaba transferohet te skuadra e Udineses
Një lëvizje e bujshme mund të konkretizohet në Serie A. David Alaba, ish-mbrojtësi i Real Madridit, është pranë transferimit te Udinese, me klubin friulian që ka arritur një marrëveshje paraprake me futbollistin. Lajmi është raportuar nga gazetari i njohur i merkatos, Fabrizio Romano, sipas të cilit palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe tani pritet vetëm përfundimi i procedurave formale.
Alaba, 34 vjeç, është aktualisht lojtar i lirë pas përfundimit të aventurës së tij me Real Madridin. Mbrojtësi austriak pritet të firmosë me Udinesen, në një transferim që do të ishte padyshim një nga lëvizjet më të bujshme të klubit italian.
Madje, vetë Udinese duket se ka dhënë një sinjal të fortë për afrimin e tij. Në rrjetet sociale, klubi publikoi një fotografi ku shfaqet “Silla de Alaba”, karrigia e bardhë që mbrojtësi austriak e ngrinte lart në “Santiago Bernabéu” gjatë festimeve të disa prej netëve të paharrueshme të Champions League me Real Madridin.
Postimi është interpretuar si një “spoiler” për transferimin e mbrojtësit, i cili tashmë është shumë pranë kalimit në futbollin italian.
Alaba u largua nga Real Madridi pas disa sezonesh të suksesshme në Spanjë, ku fitoi trofe të rëndësishëm, përfshirë Champions League. Tashmë, nëse procedurat përfundimtare mbyllen pa surpriza, ai pritet të nisë një kapitull të ri në karrierë me fanellën e Udineses.

