E nisi me tre gola dhe e quajtën Zoti, ju prezantojmë me Robbie Fowler
Nofka e tij ishte “Zoti” dhe vendosi një rekord që u deshën 21 vite të thyhej. Katër minuta e 33 sekonda i mjaftuan të shënonte tre gola kundër Arsenal.
Tripleta e tij ishte më e shpejta në Premier League, deri kur Sadio Made e theu në vitin 2015.
Emri i tij është Robbie Fowler dhe po flasim për një legjendë të Liverpool.
Jemi pas në kohë, në vitin 1994. Vetëm 19 vjeç dhe sulmuesi duhet të bënte përshtypje dhe ato gola ishin shenja që do të bëhej i madh.
“Ne të gjithë e dinim se sa i mirë ishte Robbie, por pas atyre tre golave e morën vesh edhe të tjerët gjithashtu. Për një lojtar aq të ri, t’ia bënte diçka të tillë Arsenalit ishte e jashtëzakonshme. Në atë kohë, nëse shënoje njëherë ndaj tyre, nuk mund të shënojë dot dy e tre gola. Por Robbie e bëri, madje në një kohë shumë të shkurtër”, tregonte John Barnes, në librin e Gavin Newsham, “Ju nuk mund të fitoni asgjë me fëmijë: një histori e Premier Ligës angleze”.
Anglia e njohu në atë moment Fowler, i cili i bëri “Topçinjtë” të dorëzoheshin. Të shënoje ndaj një mbrojtje solide me lojtarë si Lee Dixon, Martin Keown, Tony Adams dhe Nigel Winterburn, si dhe me David Seaman në portë, tregonte qartë potencialin që kishte ai djalosh, i cili shkëlqeu për vite të tëra me fanellën e Liverpool.
Si shënoi? Tek goli parë shfrytëzoi rrëmujën në zonë dhe nuk fali, tek i dyti u tregua perfekt me një goditje diagonal dhe topi pasi u përplas në shtyllë iu drejtua rrjetës. I treti? Iu vodh bukur mbrojtjes, portieri e ndali në momentin e parë, por më pas u dorëzua. Aty nisi rrugëtimi i “Zotit” dhe Fowler e shkroi emrin e tij me germa të arta.
“Ai gol i tretë tregoi atë që Robbie mund të bënte. Pasi portieri ia kapi gjuajtjen e parë, ai u tregua i qetë, duke mos shfaqur asnjë ndjenjë paniku ose frike. Kjo është shenja që dallon të gjithë sulmuesit e mëdhenj. Robbie e provoi diçka të tillë”, deklaronte Barnes për Guardian.
Një sulmues që nuk falte para portës, më një të majtë që ia kishte bekuar Perëndia, ndërkohë që shquhej edhe për zgjuarsinë e tij, si lëvizte dhe u vidhej mbrojtësve kundërshtarë. Shifrat në të ardhmen folën për Fowler, i cili vraponte lirshëm. Herë herë dukej shumë fin, herë herë i papërpunuar prej agresivitetit që tregonte.
Ai tregolësh mbeti në histori, ndërkohë që më pas Fowler në llogarinë e tij shtoi edhe 22 gola të tjerë, në 42 takime të luajtura. Me tri golat nuk kishte shënuar thjesht emrin te shënuesit, por kishte bërë të besonin tifozët se kishin para syve një lojtar të së ardhmes, një goleador, që më pas numëroi 183 gola në 369 ndeshje, duke u renditur i pesti në listën e shënuesve në gjithë historinë e Liverpool.
/abcnews.al