E PLOTË/ Duka: Panucci më shkatërroi Kombëtaren, po të humbnim 5-0 si Milani do më vrisnin!
Presidenti i FSHF, Armand Duka ka dhënë sot një intervistë të gjatë për gazetën “Tuttosport”, teksa i është përgjigjur interesimit të medias së njohur në lidhje me punën e bërë nga strategët italianë në vitet e fundit. Numri një i federatës nuk ka ngurruar që të flasë për tri strategët e fundit që kanë drejtuar Kombëtaren tonë, teksa e ka cilësuar Panuccin, si njeriun që ka shkatërruar skuadrën.
De Biasi – “Gianni ka bërë shumë mirë në 5 vite dhe jo vetëm për kualifikimin, por edhe për rrugëtimin në Francë. Ka lënë gjurmë, teksa në Shqipëri është një njeri shumë i dashur, e pamundur të ecësh në rrugët e Tiranës dhe njerëzit të mos t’’i kërkojnë foto dhe autografe. Njerëzit i duan të mirën”.
Panucci – “Ai ka gabuar krejtësisht dhe i kërkoj falje tifozëve. Për ne Kombëtarja është gjëja më e rëndësishme dhe ai më shkatërroi skuadrën. Mendova se ishte një njeri me karakter, por më rezultoi se donte vetëm konflikte dhe nuk mund të bëjë asnjëherë trajnerin. Pas çdo ndeshje kishte kritika, konflikte me mediat. I kërkova që ta modelonte sjelljen, por ai bënte të njëjtat gjëra. E mbi të gjitha nuk mendonte për futbollin, kërkonte vetëm paratë. Gjëja e parë që më tha kur i përmenda mundësinë e një shkarkimi të mundshëm ishin paratë, kërkonte deri në qindarkën e fundit. Jo vetëm kaq, por tani ka kërkuar edhe kompensim për ndeshjet në të cilat nuk ka qenë në pankinë. Një gjë e tillë nuk më kishte ndodhur kurrë më parë. Shiko, nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe e korrektesës etike”.
Reja- “E zgjodha sepse isha i bindur se trajnerët italianë janë më të mirët në botë. Shkolla e Covercianos nuk ka rivalë. Në fakt fitojnë kudo. Janë më të disiplinuar se gjermanët sepse i kushtojnë më shumë rëndësi detajeve. Reja është një trajner me një eksperiencë të madhe, një njeri i zgjuar, i cili ka rikthyer buzëqeshjen në skuadër, dhe më në fund ka një klimë pozitive”.
Ndihma e Tares për Rejën – “Po. Reja ishte i vështirë, Igli e telefonoi dhe më pas edhe unë për ta bindur. Tani kemi një projekt të bukur për t’u kualifikuar për në “Euro 2024”. Për më shumë Reja koordinon të gjithë sekotirn e moshave të kombëtares”.
Shqiptarët në Seria A – “Jemi disi mbrapa sa i përket numrit, por po rrisim talente të rinj. Kujdes duhet për Brojën, i cili po shënon gola dhe po udhëheq të rinjtë e Chelsea-t”.
Për kë bën tifo në Seria A? – “Kësaj pyetje nuk mund t’i përgjigjem. Bëj shaka, në realitet jam milanist dhe në këtë moment po kalon një moment të vështirë. Pas 5-0 kundër Atalantës, ishte një poshtërim. Nëse Kombëtarja humbet 5-0, këtu njerëzit do më vrisnin. Leksioni i Atalantës është shumë i rëndësishëm për të gjithë, më shumë për Milanin. Fillimisht nga sektori i të rinjve, klubi dhe strukturat, është nj ekip që mund të bëjë gjëra të mëdha. Atalanta, është një shembull italian që po funksionon”. /Rozalb Lika-Koha Jone/