Edgar Çani drejt Leeds United, klubi anglez në bisedime me Katanian
Ekipi anglez i Premier-ship, Leeds United, është futur në bisedime me klubin italian të Seria B, Katania, për të fituar shërbimet e sulmuesit të kombëtares sonë, Edgar Çani. Nga ekipi anglez i Leeds pritet të largohet argjentinasi Luciano Becchio, për shkak të rrogës së lartë që merr, për t’i hapur rrugë ardhjes së sulmuesit shqiptar. Kësisoj, Çani mund të jetë blerja e parë e janarit për klubin anglez, teksa bisedimet me ekipin e Katanias janë futur në një fazë të avancuar. Leeds dëshiron ta marrë në formë huazimi futbollistin shqiptar. Bisedimet mes pronarit të Leeds dhe drejtuesve të klubit të Seria B, Katanias, që kanë në zotërimin kartonin e sulmuesit 25- vjeçar, janë në progres. Edgar Çani e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në Itali, ai ka luajtur me ekipe të ndryshme si Bari, Palermo e Piacenca dhe aktualisht është nën kontratë me Katanian, me të cilën u bashkua në vitin 2013, kur kjo skuadër ndodhej në Seria A. Edgar Çani, i cili është grumbulluar gjatë eliminatoreve të kaluara edhe nga trajneri Gianni de Biasi, një pjesë të karrierës e ka kaluar në Poloni. Në Premier-Ship, ai do të jetë lojtari i dytë kuqezi, pas Besart Berishës. Kosovari kaloi disa vite më parë në këtë ligë kur firmosi me Burnley, por nuk pati fatin të luante për shkak se u dëmtua menjëherë pas kontratës së nënshkruar.
KOHA JONË SONDAZH

