Edhe pse 84-vjeç, Bernie Ecclestone: Do të blej aksionet e Ferrarit!
Bosi i Formula 1, Bernie Ecclestone, ka deklaruar se dëshiron të jetë aksionist i skuadrës së Ferrarit në të ardhmen. Skuadra italiane, së shpejti do të hedhë në bursën e “Wall Street” një pjesë të aksioneve të saj dhe Ecclestone do të blejë një pjesë të tyre, lajm të cilin e ka konfirmuar vetë 84-vjeçari.
Ai e konsideron këtë veprim si biznes, jo si tifoz i Ferrarit. “Më pëlqen Ferrari, një markë e fuqishme në mbarë botën, ndaj më tërheq ideja të jem aksioner i saj. Është thjesht çështje biznesi dhe kënaqësi të kesh aksionet e Ferrarit”, shtoi Bernie Ecclesonte, 84-vjeç dhe në prag të “divorcit” nga Formula 1.
“Sapo Ferrari të hedhë në bursë aksionet e saj, do të nis të blej sa më shumë prej tyre”, kanë qenë fjalët e Ecclestone, që synon të investojë në një kompani të sigurt dhe me emër të në botën e automobilizmit. Ai është gati të shpenzojë një shumë të konsiderueshme parash për të qenë pjesë e “kokëkuqes”.
Presidenti i Ferrarit, Sergio Marchionne, ka deklaruar para garës së Austrisë, dy javë më parë, se vlera totale e aksioneve të “kokëkuqes” që do të hidhet në bursë është 10 miliardë dollarë. Një shumë që, sipas Bernie Ecclesonte, është më e ulët nga vlera reale që ka marka Ferrari në botë. “Unë besoj se Ferrari vlen më shumë. Megjithatë, unë jam gati të investoj, duke blerë aksionet e saj”, tha bosi i Formula 1.
KOHA JONË SONDAZH

