Egbo: Derbi një ndeshje e radhës, kur luaja unë e nisnim 1-0 për Tiranën

Tirana vendosi që të shkarkonte Julian Ahmatajn nga drejtimi i skuadrës, teksa tashmë ja ka besuar këtë detyrë Emanuel Egbo. Ish-portieri i bardhebluve do të ketë detyrën e vështirë për të udhëhequr ekipin në derbin ndaj Partizanit. Në konferencën e zakonshme për shtyp ai e ka cilësuar si një ndeshje të radhës ndërkohë që ka kujtuar edhe kohët kur luante vetë ai në fushë.

“Tirana është skuadër e madhe në Shqipëri dhe e pranoj çdo punë. Është detyrë, pasi është klubi i zemrës. Këtu kam ardhur për herë të parë në Shqipëri. Ndaj Partizanit duhet ta marrim si ndeshje të radhës. Derbi është në fokusin e krejt Shqipërisë, ka edhe nga jashtë që duan ta shohin. Nuk mund të flas për objektiva, është ndeshja e radhës, që duhet fituar. Objektivat janë të njëjta nga fillimi i kampionatit. Vendin e parë e kemi 6 pikë larg për momentin. Nesër do të futemi në fushë për të luftuar, para së gjithash.

Drejtimi i Tiranës? Nuk mund të them nëse jam njeriu i duhur apo jo. Më është dhënë besimi për ta drejtuar skuadrën tani dhe nuk më intereson të shoh larg. E përsëris, nuk e di nëse jam i duhuri apo jo për këtë pozicion. Kjo është zgjedhja momentale e klubit. Nuk mendoj ta drejtoj Tiranën deri në fund, duhet një trajner me eksperiencë. Tirana do një staf të plotë, tani jam vetëm me përgatitësin atletik. Ta kalojmë këtë ngërç dhe klubi do të vendosë për trajnerin e ri.

Për momentin mendojmë vetëm për derbin me Partizanin. Nuk na mungon asgjë për të fituar. Duhet të luftojmë në çdo ndeshje, por nevojitet edhe durim. Nuk duhet të mendojmë sa kohë kemi pa fituar ndaj Partizanit dhe të dalim jashtë detyrave taktike, duke u udhëhequr nga presioni i opinionit. Është pak e vështirë ndaj të kuqve, ata janë të parët. Ne jemi më poshtë, por kjo na motivon më shumë për ta ngushtuar distancën me kreun. Derbi është momenti për të dhënë 100 për qind të kapacitetit që kemi. Tri pikë ndaj Partizanit mund ta qetësojnë shumë situatën që po kalojmë.

Mungesat? Edhe kundërshtari nuk i ka të gjithë lojtarët gati, jo vetëm ne. Duhet ta luajmë derbin pa Hasanin, Dungën, Cale dhe Osmanin. Shpresoj se ata që do të luajnë të japin maksimumin në fushën e blertë. Përjetimi dikur, si lojtar dhe tani si trajner? Kur isha futbollist, ishte epokë tjetër. Atëherë dilnim rregullisht kampionë. Kemi pasur lojtarë më ndryshe. Kishim Fortuzin dhe sa fillonim ndeshjen e dinim që ai shënonte. Pra, e nisim lojën praktikisht në epërsi 1-0. Futbolli tani ka ndryshuar, nuk ka ekipe të lehta dhe të forta. E shikoni vetë nga diferenca në renditje. Atëherë ishin Tirana, Partizani dhe Dinamo, ekipet e tjera ishin dytësor në Superiore”, u shpreh Egbo.

SHKARKO APP