Egbo: E dija që do të fitonim, Zoti ka dorë te ne!
Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, është shfaqur shumë i lumtur pas fitores me përmbysje ndaj Kukësit. Strategu nigerian sërish u shpreh se fitorja erdhi me ndihmën e Zotit.
“Jam pa fjalë. Nuk e di nga t’ia filloj. Lavdia shkon për Zotin. Është një mrekulli. Ka një Zot lart dhe nëse beson, nuk të harron. Nëse beson, do ta arrish atë që do. I falënderoj çunat për shpirtin e garës. Zoti i ka parë ata dhe tregon që është dora e tij në ekip. E nisëm mirë ndeshjen, si në pjesën e parë dhe në të dytën. Ishim të nxituar në përfundimin e aksioneve deri kur pësuam gol. Më pas Zoti përsipër të ndryshonte gjithçka.
Vangjeli? Goli i pësuar nuk ishte naiv, është diçka që ndodh në lojë. Nuk ishte gafë e Kristit, nisi që në krah gabimi. U driblua lojtari ynë dhe lojtari i Kukësit e futi topin në zonë. Kemi pësuar disa gola nga krahët. Do t’i rregullojmë gjërat që kemi gabim, edhe kur fitojmë.
Derbi? T’i lëmë lojtarët ta shijojnë këtë fitore. Një ditë pushim më shumë nuk është diçka e madhe. Nesër lojtarët do jenë në stërvitje. Lojtarët kanë fituar vetëbesim, por nuk besoj se do të kalojmë në eufori. Do qëndrojmë me këmbë në tokë.
Muçi në pjesën e parë luajti shumë mirë. Deri kur pësuam ra dhe nuk e pamë të arsyeshme të luante bashkë me Ngoonë. Goli i Bathës nuk ishte fat. Nëse njeriu i bën “hyzmetin” punës, nëse fut lojtarët në pozicionin e duhur, Zoti sheh dhe jep dorën e tij. Zoti ka dorë te ne. Edhe kur po humbnim e dija që do fitonim. I thashë Kristit, mos u mërzit. Besimin në Zot nuk e ndryshoj dot”, deklaroi Egbo.