Egbo pas ndeshjes: Nuk më kuptoni, sepse nuk besoni te Zoti!
Trajneri i Tiranës, Emmanuel Egbo, foli pas fitores 2-0 ndaj Flamurtarit. Strategu nigerian në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli”, i befasoi të gjithë në komentin që dha pas ndeshjes kur u pyet për sekretin e fitoreve.
“Besoj se na duhen më shumë 3 pikët në çdo javë se loja e bukur. Duke pasur parasysh se kemi ardhur nga dy ndeshje të forta kundër Kukësit dhe Partizanit dhe lojtarët ishin të ngarkuar, edhe për shkak të gripit që ka goditur lojtarët.
Ndeshja e Kukësit? Nuk merrem me ndeshjet e kundërshtarëve. Na intereson të marrim tri pikët, nuk na interesojnë të tjerët. Halili i mërzitur? Nuk e kam parë, por nuk besoj se ka qenë i mërzitur. Ai duhet të tregojë veten, ashtu si të tjerët që kanë luajtur pak.
Jam njeri optimist dhe pozitiv. Nuk e kam menduar asnjëherë. Jep 100% në fushë dhe e dimë që Zoti që është lart do e shohë. Pse nuk ka qenë më parë besimi te Zoti për Tiranën? Ndryshon emri i trajnerit, e kam thënë shpeshherë emri im është Emanuel, që do të thotë Zoti është me ne. Mund ta shpjegoj sa të doni por ju nuk e kuptoni sepse nuk besoni. Edhe çunat kanë qenë pozitiv, janë bërë si vëllezër. Ekipi po ecën para nuk përçarje. Je duke futur atë që meriton, dhe ky është shpjegimi që mund të jap, ndaj edhe Zoti të ndihmon. Mos më bëni më këto pyetje”, deklaroi Egbo.