Egnatia e nis me barazim historik aventurën Europiane, Milani shënon 4 ndaj Salzburg
Egnatia e ka nisur me një barazim aventurën në fazën e grupeve të Conference League. Kampionët e Shqipërisë ndanë pikët me danezët e Midtjylland, në një përballje të zhvilluar në “Elbasan Arena”, që përfundoi me rezultatin 1-1.
Sfida nisi me miqtë që u treguan më kërkues në minutat e para, por ishin rrogozhinasit ata që kaluan të parët në avantazh. Në minutën e 26-të, një krosim i Kryeziut nga krahu i djathtë u shfrytëzua në mënyrën më të mirë nga Gruda, i cili me një goditje të saktë me kokë mposhti portierin Bakker, duke ndezur festën në kampin e Egnatias.
Gëzimi i vendasve, megjithatë, zgjati vetëm shtatë minuta. Në minutën e 33-të, Midtjylland reagoi dhe gjeti golin e barazimit me Cho, i cili dërgoi topin në rrjetë me një goditje me kokë, duke rikthyer ekuilibrin në rezultat.
Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat patën mundësi për të gjetur golin e fitores. Danezët ushtruan presion dhe u shfaqën më këmbëngulës në kërkim të avantazhit, por mbrojtja e Egnatias arriti të rezistojë deri në fund.
Pavarësisht përpjekjeve nga të dyja palët, rezultati nuk ndryshoi më dhe sfida u mbyll në barazim 1-1. Një pikë për Egnatian në ndeshjen e parë europiane, me skuadrën rrogozhinase që tregoi se mund të përballet denjësisht edhe me kundërshtarë të fortë në arenën ndërkombëtare.
Milani fitore 4-0 ndaj Salzburgut
Ndërkohë, në Europa League, Milani ka regjistruar një fitore bindëse, duke mposhtur Salzburgun me rezultatin e pastër 4-0.
Kuqezinjtë dominuan sfidën dhe gjetën rrugën e rrjetës në katër raste, atje ku do të spikaste mbi të gjithë Alphadjo Cisse me tripletë personale.

