Egnatia në kërkim të historisë, sfidon norvegjezët e Lillestrom në Europa League
Egnatia rikthehet sonte në fushë për një tjetër mbrëmje të veçantë europiane. Kampionët e Shqipërisë do të përballen me norvegjezët e Lillestrøm në ndeshjen e parë të play-off-it të UEFA Europa League. Sfida do të zhvillohet në “Arena Egnatia”, duke nisur në orën 19:00.
Skuadra e Nevil Dedes vjen në këtë përballje me një moral të lartë, pas kualifikimit spektakolar ndaj Shamrock Rovers. Egnatia përmbysi humbjen 3-1 të ndeshjes së parë në Irlandë, duke triumfuar me shifrat e thella 5-1 në Rrogozhinë.
Ky sukses i siguroi klubit për herë të parë në histori një vend në play-off-in e Europa League, ndërsa njëkohësisht Egnatia ka garantuar pjesëmarrjen në fazën e ligës së UEFA Conference League, pavarësisht rezultatit të përballjes me Lillestrøm.
Megjithatë, rrogozhinasit nuk kanë ndërmend të ndalen këtu. Përballë do të jetë një tjetër kundërshtar nordik, me Egnatian që kërkon të shfrytëzojë faktorin fushë për të marrë një rezultat pozitiv përpara transfertës në Norvegji.
Ndeshja e parë do të luhet sonte në “Arena Egnatia”, ndërsa sfida e kthimit do të zhvillohet në Norvegji. Pas një serie paraqitjesh mbresëlënëse në Europë, Egnatia synon të vazhdojë të shkruajë historinë dhe të afrohet edhe më shumë me një tjetër kualifikim të bujshëm në arenën ndërkombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

