Egnatia nuk ka fat te penalltitë, Celje e eliminon nga Champions League

Egnatia i dha fund aventurës europiane pas një përballjeje dramatike ndaj Celjes, duke u eliminuar vetëm pas goditjeve të penalltive. Pas barazimit spektakolar 3-3 në ndeshjen e parë në Rrogozhinë, sfida e kthimit në Slloveni u mbyll 2-2 edhe pas 120 minutave lojë, ndërsa vendasit triumfuan 4-1 nga pika e bardhë.
Rrogozhinasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 21-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë dhe një krosimi të saktë nga Loukili, Daniel Adjessa goditi me kokë, ndërsa topi u devijua nga mbrojtësi Darko Hrka dhe përfundoi në rrjetë.
Celje reagoi në minutën e 34-t, kur Mario Kvesic realizoi një supergol nga goditja e dënimit, duke barazuar shifrat në 1-1. Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë, skuadra sllovene ishte më kërkuese dhe iu afrua golit me Armandas Kucys, por portieri Alen Sherri Dajsinani bëri një pritje vendimtare. Pavarësisht rasteve, koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1, duke e dërguar sfidën në shtesa.
Në minutën e 95-të, Eneo Bitri shkaktoi një penallti pas ndërhyrjes ndaj Rudi Pozeg, ndërsa Mario Kvesic u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke kaluar Celjen në avantazh 2-1.
Megjithatë, Egnatia nuk u dorëzua. Në minutën e 114-të, pas një aksioni të ndërtuar bukur dhe krosimit të Edison Ndrecës, Geralb Smajli goditi saktë brenda zonës, duke barazuar rezultatin në 2-2 dhe duke e çuar kualifikimin te penalltitë.
Nga pika e bardhë, fati nuk ishte në anën e kampionëve të Shqipërisë. Eneo Bitri dhe Edison Ndreca gabuan në ekzekutimet e tyre, ndërsa Celje u tregua më e saktë, duke fituar serinë e penalltive me rezultatin 4-2 dhe duke siguruar kualifikimin për në raundin e tretë.
KOHA JONË SONDAZH

