Egnatia rigjen fitoren në Superiore, mund Partizanin
Egnatia ka marrë një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Partizanit në duelin e javës së pestë të Kategorisë Superiore, duke reaguar pas humbjes së javës së kaluar ndaj Elbasanit.
Kampionët e Shqipërisë e zhbllokuan takimin në minutën e 31-të. Loukili u shfaq në momentin e duhur dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin skuadrës së Rrogozhinës.
Egnatia vijoi të kontrollonte ritmin e ndeshjes dhe në minutën e 71-të gjeti edhe golin e dytë. Albanese realizoi për 2-0, duke i dhënë kampionëve një avantazh të konsiderueshëm.
Partizani reagoi menjëherë dhe vetëm dy minuta më vonë Murataj ngushtoi diferencën në 2-1. Të kuqtë u hodhën në kërkim të barazimit në minutat e mbetura, por vendasit u mbrojtën mirë dhe arritën ta ruanin avantazhin deri në vërshëllimën finale.
Për Partizanin, kjo ishte humbja e dytë radhazi në kampionat, pas disfatës së javës së kaluar, duke e lënë skuadrën në kërkim të një reagimi.
Mundësia e radhës për të kuqtë do të jetë një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit, pasi në horizont është derbi i kryeqytetit ndaj Tiranës, i planifikuar për t’u zhvilluar më 11 tetor.

