Egnatia triumfon ndaj Teutës, Bylis mund Vorën

Java e 9-të e Abissnet Superiore nisi sot me ndeshjet e para. Në “Adush Muça”, Bylisi arriti një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Vorës, pavarësisht se luajti për më shumë se 70 minuta me një lojtar më pak.

Kapiteni i ballshiotëve, Marin Abazaj, u ndëshkua me karton të kuq direkt në minutën e 17-të, pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Bernard Karricës. Megjithatë, reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm — vetëm katër minuta më vonë, Malomo Ayodeji shënoi golin e avantazhit për Bylisin.

Në pjesën e dytë, Vora barazoi rezultatin në minutën e 57-të me anë të Karricës, gol që u konfirmua pas ndërhyrjes së VAR-it, pasi u shqyrtua një pozicion i mundshëm jashtë loje.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në minutën e 78-të, i sapofuturi Sanogo realizoi një gol spektakolar nga distanca: topi u përplas fillimisht në traversë, më pas në trupin e portierit Ruçi dhe përfundoi në rrjetë. Rezultati përfundimtar 2-1 i jep Bylisit tri pikë të arta, duke e ngjitur në vendin e 7-të me 9 pikë, ndërsa Vora zbret një shkallë më lart, në vendin e 6-të me 10 pikë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërkohë, në “Egnatia Arena”, skuadra kampione në fuqi Egnatia triumfoi minimalisht 1-0 ndaj Teutës. Goli i vetëm i takimit u realizua në minutën e 43-të nga sulmuesi arbëresh, Alessandro Albanese, pas një gabimi të mbrojtësit Erando Kotobelli. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund, duke i siguruar Egnatias vendin e dytë në renditje me 18 pikë, ndërsa Teuta mbetet e treta me 14 pikë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?