Ekspertët britanikë analizë për kuqezinjtë: Shqipëria i hap telashe Italisë për Euro 2024, mund ta trondisë

”Squawka”, një media në Britaninë e Madhe ka analizuar ndeshjet e Shqipërisë në Euro 2024. Edhe pse në letër kuqezinjtë janë skuadra e dytë më e dobët, ekspertët britanikë të statistikave bëjnë një përshkrim dhe thonë se në fushë Kombëtarja mund të trondisë Italinë në 15 qershor, sfidë kjo për Grupin B.

Media e nis analizën duke thënë se për Italinë kampione Europe në fuqi nuk mund të kishte një ndeshje më të lehtë, të paktën në letër, se ajo kundër Shqipërisë; teksa shton se Italia mund të rrëzohet nëse nënvlerëson kuqezinjtë. Si kundërshtari më pa përvojë në nivelin evropian, kuqezinjtë shihen nga tre rivalët Italia, Spanja dhe Kroacia si “pikë të sigurta” dhe një mundësi për t’u ngjitur në renditjen e Grupit B.

Italia dhe Shqipëria hapin llogaritë e tyre në Euro 2024 më 15 qershor në Dortmund me të dyja në kërkim të tri pikëve për të nisur fushatën e tyre në mënyrë të suksesshme.

Shqipëria kryesoi Grupin E për t’u kualifikuar, duke përfunduar përpara Republikës Çeke dhe Polonisë në rrugën e suksesit. Humbja e tyre e vetme në kualifikime erdhi në ndeshjen e parë, kundër Polonisë, por ajo mbeti e pamposhtur më pas.

Itali-Shqipëri kokë më kokë

Nuk është surprizë e madhe të mësosh se rekordi i Italisë ndaj Shqipërisë është pozitiv, me skuadrën italiane që i ka fituar të katërta ndeshjet e zhvilluara kundër kuqezinjve. Shqipëria ka gjetur vetëm një herë rrjetën kundër Italisë, në takimin e fundit në vitin 2022.

SHKARKO APP