Ekspertët japin alarmin për Botërorin 2026, temperaturat ekstreme mund të rrezikojë tifozët
Ndërsa ekipet kombëtare po përgatiten për sfidat sportive të Kupës së Botës 2026, një tjetër kundërshtar po ngre shqetësime serioze: temperaturat e larta dhe lagështia ekstreme që pritet të shoqërojnë një pjesë të mirë të turneut në Amerikën e Veriut.
Sipas një studimi të realizuar nga studiues të Universitetit të Portsmouth, kushtet klimatike në disa prej qyteteve pritëse mund të përbëjnë rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e tifozëve. Në kuadër të kërkimit, ekspertët simuluan kushtet e pritshme atmosferike në qytete si Miami, duke krijuar një ambient me temperaturë 36 gradë Celsius dhe lagështi relative prej 75 për qind.
Rezultatet tregojnë se ekspozimi për periudha të gjata në kushte të tilla mund të shkaktojë një sërë problemesh shëndetësore, nga marramendja dhe dehidratimi deri te lodhja e rëndë nga nxehtësia dhe goditja termike, e cila në raste ekstreme mund të ketë pasoja fatale.
Përballë këtij skenari, specialistët u bëjnë thirrje tifozëve që të marrin masa parandaluese gjatë ndjekjes së ndeshjeve. Këshillat kryesore përfshijnë konsumimin e vazhdueshëm të ujit, qëndrimin në zona me hije, shmangien e ekspozimit të panevojshëm në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe përdorimin e veshjeve të lehta.
Ndërkohë, FIFA ka bërë të ditur se po punon për të minimizuar ndikimin e temperaturave të larta gjatë turneut. Organizata ka parashikuar pushime të detyrueshme për hidratim gjatë ndeshjeve, përmirësim të infrastrukturës së ftohjes në stadiume dhe shtim të personelit mjekësor në impiantet sportive.
Shqetësimet janë shtuar edhe më shumë pas vlerësimeve të fundit, sipas të cilave rreth 25 për qind e ndeshjeve të Botërorit 2026 mund të zhvillohen në kushte klimatike që tejkalojnë nivelet e sigurisë të rekomanduara nga ekspertët e klimës dhe organizatat që përfaqësojnë futbollistët.
Me një turne rekord prej 104 ndeshjesh dhe mijëra tifozë që priten të udhëtojnë drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës, menaxhimi i nxehtësisë pritet të jetë një nga sfidat më të mëdha jashtë fushës së lojës gjatë Kupës së Botës 2026.
KOHA JONË SONDAZH

