Elbasani, “blindohet” për Cristiano Ronoldon

Nuk do të jetë e lehtë të shihet Cristiano Ronaldo në Elbasan. Përveç çmimit të lartë të biletës që pritet të ketë takimi i vlefshëm për eliminatoret “Euro 2016” mes Shqipërisë e Portugalisë, do të jenë masat ekstreme të sigurisë ato që do të bëjnë edhe më të veçantë këtë takim. Federata Shqiptare e Futbollit para se  të dalin në treg biletat, ka rritur ndjeshëm nivelin e sigurisë për takimin e 7 shtatorit të ardhshëm me Portugalinë. Të gjithë duan të shohin në fushë përballjen mes kuqezinjve dhe Cristiano Ronaldos me shokë. Fitorja e kaluar në Portugali, si dhe fakti se kuqezinjtë ndodhen në vend të tretë, me 10 pikë në Grupin I aq sa ka edhe Danimarka, por dy pikë më pak se portugezët, ka shtuar ndjeshëm interesin e këtij takimi.  Federata Shqiptare e Futbollit do të aplikojë shitjen e personalizuar të biletave, që do të thotë se personat që do të aplikojnë për të blerë biletat “on-line” do të jenë të identifikuar. Në rast se dikush do të pajiset me më tepër se një biletë, do t’i duhet të japë edhe emrin e personit për të cilën ajo blihet. Në këtë mënyrë çdokush që do të paraqitet në “Elbasan Arena” më 7 shtator, përveç biletës, do të duhet të ketë në mënyrë kategorike me vete edhe kartën e identitetit. Nëse ndonjë tifoz nuk disponon mjetin e identifikimit, apo nëse ai nuk korrespondon me emrin e personit për të cilin është blerë bileta, do ta ketë të pamundur të futet në stadium. Në këtë mënyrë FSHF ndërmerr një masë, e cila përmirëson në mënyrë të konsiderueshme nivelin e sigurisë. Në radhë të parë forcat e rendit do të jenë të informuara paraprakisht për personat që do të hyjnë në stadium dhe në këtë mënyrë do të evitohet prezenca e personave të cilëve u është ndaluar hyrja në impiantet sportive. Në të njëjtën kohë do të jetë edhe më e lehtë për forcat e rendit, apo për forcat private të sigurisë, që të identifikohen personat përgjegjës për akte të papërgjegjshme apo dhe dëmtimin e mundshëm të vendit ku ndodhet. Çdo poltrone në “Elbasan Arena” do t’i përkojë një emër konkret i personit që është akomoduar në atë pozicion. Iniciativa e re që merret për ndeshjen me Portugalinë pritët të rrisë ndjeshëm nivelin e sigurisë në stadium. Këto masa merren nga FSHF para një ndeshje tjetër, që konsiderohet edhe e rrezikshmërisë së lartë, ndoshta në formë testi. Ndeshja e 8 tetorit me Serbinë, ku masat e sigurisë do të jenë absolutisht të niveleve maksimale në të gjitha drejtimet.

Alban Meha, merr leje qëndrimi në Turqi 

Alban Meha është transferuar gjatë merkatos së verës, në kampionatin turk. Pasi i mbaroi kontrata me Paderborn në Gjermani, me të cilin luajti në Bundesligë sezonin e shkuar, mesfushori i kombëtares shqiptare vendosi të ndërrojë terren. Oferta e Konyaspor përmbushi kërkesat e tij financiare, ndaj nuk hezitoi të bëhej pjesë e kësaj skuadre, me të cilën ka zhvilluar edhe përgatitoren e verës. Për të vijuar qëndrimin në Turqi, atij i nevojitej leja e qëndrimit apo siç njihet ndryshe, leja e punës, në këtë shtet euro-aziatik. Meha iu është nënshtruar procedurave strikte të emigrimit në shtetin turk, duke marrë paraditen e djeshme leje për të jetuar në Konia. Tashmë e ka përmbyllur këtë proces zyrtar, duke qenë i qetë në aventurën turke. Zyrtari përkatës në qytet, Ahmet Babaoglu, i ka dhënë çertifikatën e vendbanimit Alban Mehës, duke bërë një foto me të.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?