Elis Bakaj rikthehet për 10 ditë, i padisponueshëm ndaj Flamurtarit
Pas ndeshjes emocionuese të ekipit tonë kombëtar, dhe një pauze të kampionatit, në fundjavë rikthehen ndeshjet e Superiores. Ndeshja e radhës ndaj Flamurtarit vjen në një moment delikat për Tiranën, pasi bardheblutë aktualisht nuk do të kenë në dispozicion të tyre disa futbollistë të rëndësishëm, për arsye dëmtimi. Edhe ndaj vlonjatëve të shtunën, Tirana do të vuajë mungesën e një prej lojtarëve të saj më të mirë. Bëhet fjalë për mesfushorin Elis Bakaj, i cili po vazhdon fazën e ri-aftësimit nga dëmtimi që pësoi disa javë më parë në ndeshjen ndaj Skënderbeut. Sipas klubit Tirana, Bakaj po punon me një program ri-aftësimi individual në palestër dhe së fundmi ka kryer edhe disa seanca terapie intensive, në mënyrë që të vihet në dispozicion të trajnerit Gugash Magani, në një kohë sa më të shpejtë të mundshme.
E sigurtë është mungesa e 27-vjeçarit, në takimin e radhës ndaj Flamurtarit. Elis Bakaj do të jetë i gatshëm për Tiranën pas 10 ditësh, dhe mund të ndihmojë bardheblutë me praninë e tij në fushë, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ndaj Laçit, që do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa”, më 8 prill. Elis Bakaj këtë sezon ka realizuar 10 gola, duke ndihmuar Tiranën që të jetë ende në garë për fitimin e titullit kampion. Ndaj Flamurtarit, përveç mesfushorit Elis Bakaj, rrezikojnë të mos jetë në dispozicion edhe Mario Morina. Sulmuesi ndjen ende shqetësime pas lëndimit që pësoi në ndeshjen e zhvilluar në Fier, ndaj Apolonisë, të dielën më 22 mars. Megjithatë, për trajnerin Gugash Magani është se Gjergji Muzaka i është bashkuar skuadrës në stërvitje dhe do të jetë gati për ndeshjen e fundjavës.
KOHA JONË SONDAZH

