Elseid Hysaj për 600 mijë euro në sezon te Napoli, arrihet marrëveshja
“Martesa” mes Elseid Hysaj e Napolit do të celebrohet këtë javë. Trajneri Maurizio Sarri i ka kërkuar Napolit transferimin nga Empoli të mbrojtësit të kombëtares sonë, të cilin e ka pasur në ekipin e tij para se të transferohej tek napolitanët. Mbeteshin disa detaje të vogla për marrëveshjen me Empolin, që Hysaj të konsiderohej zyrtarisht lojtar i Napolit.
Pasdite marrëveshja është arritur dhe Hysaj mund të quhet sot zyrtarisht lojtar i Napolit. Lojtari shqiptar i datëlindjes 1994 ka pranuar ofertën e klubit të Aurelio De Laurentis prej 600 mijë eurosh në sezon për pesë vitet e ardhshme. Falë ndërhyrjes së menaxherit Marco Piccoli është kaluar pengesa e të drejtave të imazhit: Ka qenë vendimtar takimi i zhvilluar sot me drejtorin sportiv të “axurrëve”, Cristiano Giuntoli. Më në fund trajneri Sarri do të ketë në dispozicion përforcimin që priste prej kohësh. Ditën e nesërme Hysaj duhet të zhvillojë vizitat mjekësore dhe të bashkohet me ekipin.
Ditën e sotme Napoli ka zyrtarizuar edhe blerjen e qendërmbrojtësit rumun Chiriches nga Tottenham për rreth 7 milionë euro, por lëvizjet në merkato nuk ndalen këtu. Në fakt, trajneri Sarri nuk është i bindur nga rumuni dhe kërkon një tjetër përforcim në mbrojtje. Objektivi i parë është Nikola Maksimovic i Torinos, i cili kushton 18 milionë euro.
Presidenti i Empolit, Fabrizio Corsi foli paradite mbi trantativat dhe situatën aktuale të lojtarit shkodran. – “Për Napolin situata është e qartë, për ne si ç’ishte më parë. Tani jemi duke kërkuar të zgjidhim detaje të vogla të marrëveshjes për të gjetur akordin përfundimtar. Nuk janë më problem paratë. Lojtari është entuziast për kalimin, prandaj jam edhe unë i kënaqur për të.” Kësisoj, Hysaj, 21-vjeç, pritet te prezantohet pas marrëveshjes në “San Paolo”. “Sipas meje Hysaj është gati, është shumë i fortë edhe në aspektin e karakterit nuk besoj se i frikësohet prezencës në një stadium me 50 mijë spektatorë,” – thotë presidenti i Empolit. Mbyllja e tratativave? “Jam i sigurtë se do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët,” – shton më tej ai. Dukej e mbyllur me kohë marrëveshja mes tij dhe presidentit të Napolit, De Laurentis. Hysaj mund të quhet lëvizja më e bujshme kuqezi e merkatos së verës.
A. Muraçi/Koha Jonë
KOHA JONË SONDAZH

