Ëndrra e Bremer: Do ishte bukur të kishim Neymar te Juventusi
Mbrojtësi brazilian i Juventusit, Gleison Bremer, ka dhënë një intervistë për prestigjiozen italiane La Gazzetta dello Sport, ku është ndalur në shumë tema që lidhen me skuadrën bardhezi, trajnerin e ri Igor Tudor dhe të ardhmen e disa prej lojtarëve kyç. Nuk ka munguar as një ftesë për bashkëkombësin e tij, Neymar, që dëshiron ta shohë te Juventusi.
“Po flasim për një trajner që ka veshur këtë fanellë dhe e di çfarë do të thotë të luash për Juventusin. Po më jep shumë qetësi, më këshillon të mos forcoj më shumë seç duhet, sepse do të rikthehem në nivelin tim. Ka një stil të ngjashëm me Gasperinin dhe Juric, me të cilët kam punuar më parë, kështu që i përshtatem mirë futbollit të tij.
Do t’i rekomandoje Neymar-it një “last dance” te Juve? “Sigurisht! Do të ishte bukur të kishim dikë si Neymar këtu te Juventusi.”
Një tjetër temë e nxehtë ishte e ardhmja e Dusan Vlahovic, i cili vazhdon të përflitet për një transferim të mundshëm te Milani, edhe pse shënoi në miqësoren e fundit: “Dusan është një djalë pozitiv dhe gjithmonë vendos objektiva të larta. Sinqerisht, shpresoj që të qëndrojë këtu dhe të na ndihmojë. Por janë vendime personale. E rëndësishme është që të jetë më e mira për të dhe për Juventusin.”
Në fund, Bremer komentoi edhe përforcimet e fundit të ekipit: “David më ka lënë përshtypje shumë të mirë, është një sulmues teknik dhe jam i bindur se do të na ndihmojë shumë. Kur erdhi Kolo Muani në janar, isha i dëmtuar, por më ka bërë përshtypje si djalë dhe si lojtar. Shpresojmë që të kthehet te Juventusi.”

KOHA JONË SONDAZH

