Enzo Fernandez drejt largimit nga Chelsea? Blutë i vendosin edhe çmimin
E ardhmja e Enzo Fernández te Chelsea duket gjithnjë e më e pasigurt, teksa mesfushori argjentinas raportohet se po shtyn prej muajsh për t’u larguar nga klubi londinez, pavarësisht kontratës afatgjatë që e lidh me “Blutë” deri në vitin 2032.
Sipas raportimeve, situata mes palëve është tensionuar pas një sezoni zhgënjyes për Chelsean, që u eliminua në fazën e 1/8-ve të Ligës së Kampionëve dhe e mbylli kampionatin në vendin e dhjetë në Premier League, duke mbetur jashtë garave europiane për sezonin e ardhshëm.
Pavarësisht se konsiderohet një nga lojtarët kyç të skuadrës dhe një figurë e rëndësishme në dhomat e zhveshjes, Fernandez thuhet se ka vendosur të kërkojë një sfidë të re. Mesfushori 25-vjeçar zhvilloi një sezon të spikatur me 54 paraqitje, 15 gola dhe 7 asistime.
Interesimi për të nuk mungon. Gjigantët europianë si Real Madrid, Paris Saint-Germain. dhe Manchester City po monitorojnë nga afër zhvillimet, duke studiuar mundësinë për të përfituar nga përplasja mes lojtarit dhe klubit.
Megjithatë, Chelsea nuk ka ndërmend ta shesë lehtë yllin argjentinas. Sipas raportimeve të mediave britanike, drejtuesit londinezë e vlerësojnë kartonin e tij rreth 120 milionë paund, ose afërsisht 138 milionë euro.
Në garën për firmën e Fernández, favorit shihet Manchester City, që po hyn në një fazë rindërtimi pas largimit të Pep Guardiola dhe emërimit të Enzo Maresca si pasues. Argjentinasi ka bashkëpunuar më herët me Marescan te Chelsea dhe raportohet se do të ishte i gatshëm të punonte sërish me teknikun italian.
KOHA JONË SONDAZH

