Erjon Allaraj parashikon spektakël në Portugali-Spanjë: Derbi iberik pritet të prodhojë shumë gola
Gazetari sportiv Erjon Allaraj ka ndarë analizën e tij për super duelin Portugali-Spanjw nw Kupën e Botës gjatë emisionit “Koha e Botërorit”, të moderuar nga Rozalb Lika. Sipas tij, fati ka luajtur një rol vendimtar në ecurinë e disa skuadrave deri në këtë fazë të turneut. Duke iu referuar ndeshjeve të fundit, Allaraj theksoi se Portugalia ka përfituar edhe nga rrethanat e lojës, ndërsa kujtoi rastet e Kroacisë me dy gola të anuluar.
“Edhe Portugalia është këtu me dy gola të anuluar të Kroacisë. Nëse njëri prej atyre rasteve do të ishte quajtur gol, ndoshta historia do të kishte qenë krejt ndryshe. Kështu që fati ka qenë faktori kryesor, të paktën në këtë Botëror, për disa ekipe”, u shpreh ai.
Në analizën e derbit iberik mes Portugalisë dhe Spanjës, ai parashikoi një ndeshje të hapur dhe spektakolare, duke argumentuar se të dyja kombëtaret kanë potencial të madh në fazën sulmuese, por njëkohësisht shfaqin dobësi në repartin defensiv.
“Shoh një ndeshje me shumë gola. Mund të përfundojë 3-2 apo edhe 4-3. Të dyja ekipet dinë të sulmojnë dhe të shënojnë, por çedojnë në mbrojtje”, tha Allaraj.
Megjithatë, ai i dha një avantazh të lehtë Portugalisë, duke vlerësuar se fitorja dramatike ndaj Kroacisë i ka shërbyer skuadrës si një mësim i rëndësishëm për vijimin e turneut.
“Favorizoj pak Portugalinë në këtë rast. Fitorja në limit ndaj Kroacisë, por edhe rastet që krijoi kundërshtari, i kanë dhënë një leksion të mirë kësaj skuadre. Mendoj se Portugalia ende nuk e ka shfaqur forcën e saj reale.
Individualisht Portugalia ka ndër lojtarët më të mirë të këtij Botërori, por si grup ende nuk është konsoliduar plotësisht”, përfundoi gazetari gjatë analizës së tij në “Koha e Botërorit”.
Emisioni i plotë:

KOHA JONË SONDAZH

