Erjon Bogdani-kuqezinjve: Luani si ndaj Francës, fitoni ndaj Armenisë!
Ndaj Armenisë do të jetë e rëndësishme mbi të gjitha shënimi i një goli. Erjon Bogdani, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për kuqezinjtë, jep këshilla për dërgimin e topit në rrjetë. Përpara përballjes së 29 marsit, Bogdani vizitoi përfaqësuesen gjatë grumbullimit të saj në “Tropikal” për të takuar ish kolegët e tij në përfaqësuese dhe pse jo dhe për të dhënë ndonjë këshillë për dërgimin e topit në rrjetë. – “Ishte një ftesë nga djemtë për t’i vizituar në prag të kësaj ndeshje dhe e pranova me kënaqësi ftesën e tyre, pse jo dhe për t'i dhënë ndonjë këshillë në prag të kësaj ndeshje shumë të rëndësishme për ne.” Ndeshjet e fundit të Shqipërisë e bëjnë Bogdanin të jetë optimist për marrjen e një rezultati pozitiv ndaj Armenisë. – “Duke u bazuar në tre ndeshjet e fundit dhe lojërat që ka zhvilluar kombëtarja, na ka bërë të gjithë të jemi shumë optimistë për marrjen e një rezultati pozitiv ndaj Armenisë dhe të shpresojmë gjithashtu në ëndrrën tonë të madhe, që është kualifikimi.” Sulmuesi kuqezi, i cili ka luajtur 74 ndeshje me përfaqësuesen, në të tilla përballje e ndjen thirrjen e fanellës, por tashmë që ka varur “këpucët në gozhdë”. Erjoni premton se do të japë maksimumin nga tribuna duke përkrahur përfaqësuesen si tifozi i saj numër 1. – “Sigurisht që ndonjëherë ndjej nevojë për të zbritur në fushë, por gjithsesi unë mbetem pranë kombëtares dhe pavarësisht se nuk luajë më, jam tifozi numër 1 i Shqipërisë dhe do të jap përkrahjen time nga tribuna.” Në fund dhe një këshillë e Bogdanit për ish-shokët e tij kuqezinj në prag të ndeshjes me Armeninë. –“Këshilla ime për djemtë është që të luajnë siç luajtën ndaj Francës, sepse me atë lojë e kemi të sigurtë fitoren,” përfundon Bogdani.
KOHA JONË SONDAZH

