Ermir Kodra, rrëfehet presidenti më i ri i Seria A, që drejton Parmën
Ermir Kodra, presidenti i ri i Parmës. Lajmi pushtoi brenda pak minutash mediat kryesore të Italisë. Shqiptari Ermir Kodra bëhet në këtë mënyrë i pari president shqiptar i një klubi të Serisë A, madje është njëkohësisht edhe presidenti më i ri në historinë e saj. Por kush është 29 vjeçari, i cili i ka surprizuar të gjithë. Në një intervistë për gazetarin sportiv të Supersport, Dritan Shakohoxha, ai rrëfehet para publikut shqiptar se cili është dhe çfarë synimesh ka në drejtimin e Parmës. – “Jam Ermir Kodra, vij nga bota e biznesit. Kam mbaruar Fakultetin e Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës dhe kam shtatë vjet që punoj në fushën e hidrokarbureve. Konsorciuimi Dastraso ka blerë mazhorancën e aksioneve të Parmës. Unë përfaqësoj Dastraso Holding, që është një kompani hidrokarbure dhe hapi i parë që ne kemi bërë në fushën e sportit është këtu në Itali, por që kompania jonë do të operojë dhe në fushën e hidrokarbureve, ku është pika e saj kryesore në shtetin italian,” – thekson Kodra. Me një histori më shumë se 100-vjeçare, Parma është një ndër klubet e rëndësishëm të futbollit italian, me tifozë të shumtë edhe në mbarë botën. Por pas pjesës së parë të këtij sezoni, Parma ndodhet në vendet e fundit, ndaj edhe ndryshoi presidenca, që t’i hapet udhë investimeve të tjera. -“Gjendja financiare e klubit të Parmës nuk them që është optimale, madje është e rënduar por ne kemi strategjinë dhe besimin se klubi i Parmës me investimet që do të bëjmë do të rregullohet si në planin financiar, gjithashtu dhe në atë sportiv. Siç e keni parë deri tani ne jemi duke bërë afrime shumë cilësore. Jemi në kërkim të një sulmuesi, të një top-player. Me dëshpërim ju konfirmoj që nuk kemi arritur të mbyllim marrëveshjen me Balotellin, por që gjithsesi jemi ende në kërkim të një lojtari të madh”. Në sezonin aktual Parma lufton për mbijetesën në Serinë A dhe Ermir Kodra garanton se presidenca e re do të bëjë të pamundurën që klubi të qëndrojë mes më të mirëve të futbollit italian. – “Ne po bëjmë maksimumin dhe japim garancinë se po punojmë për zgjidhjen e problemeve financiare dhe mbi të gjitha për atë që është pjesa më e rëndësishme, qëndrimin në Serie A.” Edhe pse për mediat italiane është e sigurtë se pas tij fshihet biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi, i zgjedhuri presidenti i Parmas, 29-vjeçari që përfaqëson interesat e fondit ruso qipriot Dastraso Holding, siguron se përforcimet shqiptare te Parma janë mbyllur me atë vetë dhe mbrojtësin e kombëtares sonë, Andi Lila.
KOHA JONË SONDAZH

