Ervin Skela: Ëndërr të jem trajner i kombëtares, do të vija me biçikletë nga Gjermania
Ish-mesfushori i njohur i Shqipërisë, Ervin Skela, ka shprehur hapur ambicien e tij për të drejtuar një ditë Kombëtaren kuqezi, duke e cilësuar këtë si një ëndërr të madhe personale.
Në një intervistë për FSHF TV, Skela theksoi se çdo ish-lojtar që synon karrierën si trajner, ka si objektiv maksimal drejtimin e përfaqësueses. Ai përdori edhe një shprehje simbolike për të treguar gatishmërinë e tij:
“Ëndrra e çdo ish-futbollisti të Kombëtares që pretendon të jetë trajner, nuk diskutohet që është për të qenë një herë trajneri i Kombëtare. Për mua do ishte një ëndërr. Nëse një ditë do më kërkonte kombëtarja e Shqipërisë, për të cilën mendoj se është ende larg, në mënyrë absolute që do pranoja, do vija me biçikletë është një shprehje këtu në Gjermani. Do nisesha që tani, direkt”, tha ai në një intervistë së fundmi për FSHF TV.
Duke kujtuar fundin e karrierës si futbollist, Skela zbuloi se kishte pasur një ofertë nga Skënderbeu, në kohën kur klubi synonte të ndërtonte një skuadër konkurruese për arenën europiane.
“Në vitet e fundit si lojtar, ka qenë Agim Zeqo, president i Skënderbeut asokohe, më ka ofruar që të bashkohesha me skuadrën korçare. Po bënin një ekip që donte të shkonte në Champions. Si trajner nuk kam pasur oferta, pasoi njerëzit mendojnë se unë nuk kthehem në Shqipëri, pasi jam në Gjermani e këtu ndihem shumë mirë”, tha ai.
Aktualisht, Skela është trajner i ekipit U19 të akademisë së Eintracht Frankfurt, ku po bën një punë të vlerësuar. Nën drejtimin e tij, skuadra ka arritur deri në fazën e 1/8-ave të Youth League, duke konfirmuar potencialin e tij si trajner.
KOHA JONË SONDAZH

