Etika “paralizon” Bylis dhe Tërbunin, policia zbret shifrat për tifozët e Partizanit
Tërbuni, që mbyll klasifikimin dhe Bylis që ndodhet një pikë para Vllaznisë së parafundit, kanë marrë një goditje të fortë nga Komisioni i Etikës në FSHF, duke rrezikuar kësisoj rënien, pasi dy ekipeve debutuese u janë pezulluar 8 lojtarë për 6 muaj. Sakaq, e tëra vëmendja para ndeshjeve të javës së 15-të në Kategorinë Superiore është fokusuar te derbi, Tirana-Partizani. Të kuqtë kryesojnë 4 pikë para Skënderbeut, por duhet të kalojnë të hënën edhe pengesën e vështirë të derbit, që të shpallen zyrtarisht kampionë dimri.
Partizani
Klubi i Tiranës vendosi t’i lejë në dispozicion një të tretën e stadiumit Partizanit për derbin e së hënës, por situata ka ndryshuar. Nga tre mijë bileta që bardheblutë caktuan për tifozët rivalë, shifra është ulur në vetëm dy mijë. Kjo pas takimit me policinë e kryeqytetit, që për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, vendosi në kufizimin e numrit të mbështetësve të kuq. Tifozët e Partizanit do të vendosen në katër tribuna të stadiumit “Selman Stërmasi”. B1 dhe B2 në tribunën qendrore, ku çmimet variojnë nga 2500 lekë të reja deri në 2000 lekë. Gjithashtu fansat e kuq do të qëndrojnë edhe në tribunat C1 dhe C2, ku çmimi i biletave është 600 lekë të reja. Çmimet më të ulëta janë ato të tribunave D2/G2 me kosto 500 lekë. Lënien jashtë të një mijë tifozëve të Partizanit ndodhi pasi policia nuk mori përsipër të menaxhojë edhe sektorin tjetër ku do të akomodoheshin.
Tirana
Klubi vendosi që ekipi të grumbullohet menjëherë pas seancës stërvitore të zhvilluar të shtunën në stadiumin “Selman Stërmasi”, rreth 48 orë të blinduara, për të evituar shpërqendrimet, por edhe për të përgatitur me detaje super-sfidën e kryeqytetit. Vendimi u mor nga stafi teknik i drejtuar nga trajneri Ilir Daja, edhe që skuadra të qëndrojë larg presionit. I pranishëm për disa çaste në stërvitjen e bardhebluve ishte edhe presidenti i klubit, Refik Halili, i cili është kujdesur të mësojë më tepër rreth gjendjes së lojtarëve, por edhe të ndjekë përgatitjet e fundit në zonën VIP të stadiumit, në kuadër të inaugurimit. Mesfushori Erjon Vucaj, i dëmtuar, të gjithë lojtarët ishin në dispozicion të trajnerit Daja. Duke nisur nga Dritan Smajli, i cili ka punuar me pjesën tjetër të skuadrës. Rikthehen pas dëmtimeve afatgjata mesfushori Gjergji Muzaka, mbrojtësi Ronald Gërçaliu dhe mesfushori, Ervin Bulku. Vetëm kapiteni Bulku mbetet në pikëpyetje.
Etika
Komisioni i Etikës për ndeshjen e dyshuar si e trukuar mes Tërbunit dhe Bylisit e cila u luajt më 18 nëntor 2015 dhe që përfundoi 4-2 për pukjanët, mori masa të ashpra për lojtarët e dy ekipeve. Dy futbollistë të Tërbunit dhe 6 futbollistë të Bylis janë pezulluar gjashtë muaj nga aktiviteti, duke bërë që këto dy skuadra të rrezikojnë seriozisht rënien nga kategoria. Komisioni i Etikës mori për bazë ankimet dhe pamjet filmike.
Vendimet e plota:
1. Lojtarët e Tërbunit, Vilson Lila dhe Klodian Sulollari, për komplotim në influencimin e rezultatit të ndeshjes Tërbuni – Bylis, që u zhvillua më 18 nëntor 2015, në kundershtim me etiken sportive, dënohet secili me 6 muaj pezullim.
2. Lojtarët e Bylis, Kushtrim Mushica, Elton Basriu, Mariglen Shosha dhe Ahmet Haliti, për komplotim në influencimin të rezultatit të ndeshjes Tërbuni – Bylis, në kundërshtim me etiken sportive, dënohe n secili me 6 muaj pezullim.
Kategoria Superiore
Java e 15-të, 6 dhjetor
Tërbuni-Flamurtari 13:00
Kukësi-Vllaznia 13:00
Skënderbeu-Laçi 16:00
7 dhjetor
Bylis-Teuta 14:00
Tirana-Partizani 14:00
KOHA JONË SONDAZH

