Euro ‘88, triumfi holandez pas 14 vjetësh

Nga Skifter Këlliçi/(Vijon nga numrat e kaluar)

Në finalen e Botërorit ‘74  në “Olimpia Stadium” të Mynih midis RF Gjermane dhe Holandës, Myleri dhe Bekenbaueri me shokë kishin mposhtur portokallinjtë e Kroifit  2-1 dhe bashkë me këtë fitore kishin zotëruar edhe Kupën, pavarësisht se specialistët, siç kam shkruar, ishin shprehur se fitorja u kishte takuar gjermanëve, por nderi holandezëve.

Mirëpo pas 14 vjetësh, po në këtë stadium, me nxënësi 69.1000, por këtë radhë në finalen e Euro ‘88-ës, ndodhi e kundërta. Sidoqoftë, të mos nxitohemi dhe t’i ndjekim radhazi ndeshjet në grupe që u zhvilluan edhe në stadiumet e Dyzeldorfit, (58.850),Hanoverit, (50.423) Gelzenkirshenit, (62.000), Frankfurtit, (61.000), Këlnit, 47.000), Shtutgardit, (50.000), Hamburgut, (61.0000) Mynihut (69.100), për të arritur në këtë  finale të madhe.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në grupin e parë, ku bënte pjesë edhe Shqipëria, vendin e parë e zuri Spanja me 10 pikë, e ndjekur nga Rumania me 9, Austria me 5 dhe përfaqësuesja jonë me…0 pikë. Ishte hera e parë dhe e fundit që një ekip yni kombëtar, pjesëmarrës  në veprimtari ndërkombëtare  të pësonte një katastrofë të tillë. Të paktën në takimin me Spanjën më 3 dhjetor të vitit 1986 në Tiranë,i patëm  mundësitë  të barazonim. Dhe kjo, sepse pjesa e parë u mbyll 1-0 për tanët pas një goli “antologjie”, të shënuar nga Muca në portën e Zubizaretës. Por në pjesën  dytë,barazoi së pari Artece dhe gjashtë minuta para mbarimit,kur loja dukej plotësisht e barabartë, nga një gabim i mbrojtjes, siç na ka ndodhur jo racë në këtë fazë të lojës, Joakuini shënoi golin e fitores. “Ju patët frikë të fitonit ,-më tha në një intervistë pas ndeshjes trajneri spanjoll Munjos, ish-futbollist i madh i “Realit Madridit” të viteve ‘50-të. Po këtë mendim shprehu edhe Butragenjo, që kishte shkëlqyer në Botërorin Meksikë ‘86, ku Spanja kishte arritur deri në çerekfinale dhe ishte mënjanuar vetëm me lotarinë  me 11-metërshave  nga Belgjika.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në grupin e dytë Italia nuk pati andralla dhe me 13 pikë la pas Suedinë me 10, Portugalinë me 8, Zvicrën me 7 dhe Maltën me 2 pikë. E papritura më e madhe ndodhi në grupin e tretë. Franca, siç e pamë në shkrimin e fundit, mbretëreshë  e Euro ‘84-ës dhe zonja e tretë  në Botërorin Meksikë  ‘86, “abdikoi” në favor të Bashkimit Sovjetik, që me 13 pikë u rendit i pari dhe pas tij RD Gjermane.

Ishte për t’u habitur se si kjo skuadër magjike arriti t’i merrte norvegjezëve që mundtë krenoheshin me kompozitorin e madh Grig,ose me disa nga sportet dimërore,por jo me topin e futbollit, vetëm një pikë,(0-2 në Oslo dhe 1-1 në Paris). Por më e rëndë ishte edhe humbja që francezët  pësuan në shtëpinë e tyre 0-1 kundër gjermano-lindorëve. Skuadra e Platinisë po kujtonte tani me mall “kohët e shkuara…”.

Edhe për Anglinë ndeshjet në grupin e tretë, ku bënin pjesë edhe Jugosllavia, Turqia dhe Irlanda e Veriut, ishin një “shkrydhje” para fazës finale. Ajo u rendit e para me 13 pikë dhe pas saj Jugosllavia me 8 pikë, e cila i humbi të dyja takimet me “shpikësit e futbollit”: në Londër 0-2 dhe  Beograd 1-4. Madje, në këtë takim jugosllavët  pësuan tre gola që në 15 minutat e para. Por epërsinë më të madhe në ndeshjet në grup  e tregoi Holanda, e cila në grupin e  pestë zuri vendin e parë me 14 pikë, e ndjekur nga Greqia me 9, Hungaria me 8 dhe Qipro me 1 pikë.

Për vendin e parë në grupin e gjashtë “u hëngrën” Danimarka me Çekosllovakinë. Takimet midis tyre u mbyllën në paqe 0-0 në Pragë dhe 1-1 në Kopenhagë. Por, ndërsa danezët i fituan të dyja takimet me Uellsin, çekët lanë një pikë në Kardif,(1-1) dhe ndonëse e mbyllën me fitore takimin e kthimit, (2-0), mbetën në vendin e dytë më një pikë më pak se atdheu ku Shekspiri ka vendosur ngjarjet e tragjedisë së tij të  famshme “Hamlet”. Një e papritur ndodhi edhe në grupin e shtatë, ku vendin e parë e zuri Irlanda, pa reputacion në arenën ndërkombëtare. Me 11 pikë ajo la pas Bullgarinë  “e regjur” në këto veprimtari, me një pikë më pak, e pasuar nga Uellsi më 6 pikë dhe Finlanda me 3. Përfaqësuesja e RF Gjermane hyri  drejtpërdrejt në fazën finale si vend organizues. Kështu nga 10-25 qershor në stadiumet e mësipërme filloi faza finale e Euro ‘88-ës…Në grupin e parë u përfshinë Italia, Spanja, Danimarka dhe RF Gjermane. Sprinti i të zotëve të këtij kampionati të kujtonte sprintin e vrapuesit të madh gjerman Armin Hari, i cili për herë të parë në historinë e olimpiadave u kishte rrëmbyer më 1960 në Romë, vendin e parë amerikanëve në largësinë 100 m. Kështu pra pas një “shpejtësie fillestare”, gjermano-perëndimorët  barazuam së pari me Italinë 1-1,(Mançini në 52’ e pastaj gjermani Breme  në 55’),mposhtën Danimarkën 2-0,me gola të Klinsmanit në 10’  dhe të Tonit në 85’dhe po me këtë rezultat gjunjëzuan Spanjën, (Feler në 39” dhe 55’).

Italia gjithashtu, mundi Danimarkën 2-0,(Altobeli 63’ dhe De Agostini 87’) dhe Spanjën 1-0 më goltë Vialit në 73’.Vendin e parë e zuri kështu RF Gjermane e ndjekur nga Italia,të dyja me nga 4  pikë, por italianët me golaverazh më të dobët. Në grupin e dytë bënin pjesë Holanda, Bashkimi Sovjetik, Irlanda dhe Anglia. Kjo e fundit pësoi goditje shkatërrimtare duke i humbur të tria ndeshjet, dukuri që nuk kishte ndodhur kurrë në historinë në futbollit anglez,(0-1 me Irlandën dhe me të njëjtin rezultat 1-3 me Holandën dhe Bashkimin Sovjetik). Skuadra sovjetike, nga ana tjetër, me gjakftohtësi dhe siguri të habitshme fitoi  ndaj fluturakëve holandezë  edhe pse me “pilotë” të tillë si Rijkard, Gulit dhe Van Basten, me golin e vetëm të Racit1-0,në 52” dhe  barazoi me Irlandën 1-1, (gol i Eelenit në 38’ dhe barazimi Protasovit në 74’). Kështu vendin e parë në këtë grup e zuri B.Sovjetik me 5 pikë, i pasuar nga Holanda me 4, Irlanda me 3 dhe Anglia… pa asnjë pikë. Përpara se të përshkruaj shkurtimisht si u zhvilluan ndeshjet e fazës përmbyllëse, po bëj një parantezë të gjatë. Nuk  mora pjesë në komentimin e ndeshjeve të këtij evropiani,që iu besuan tërësisht komentatorëve të tjerë. Nuk ishte gjë e re për mua. Dy vjet më parë më 1986, pa pritur më ishte hequr e drejta që të isha drejtues i “Rubrikën sportive”. Nga drejtuesit e RTVSH-së nuk mora përgjigje të saktë, madje ata iu shmangën atëherë  kësaj përgjigjeje.  Vetëm pas viti 1991 një nga ish-drejtuesit kryesorë, më shpjegoi se “nga lart” ishte dhënë urdhër që së pari të mos  drejtoja “Rubrikën” dhe pastaj të mos komentoja ndeshje ndërkombëtare, sepse “u ngjaja komentatorëve italianë”. Vijmë  kështu te gjysmëfinale. Futbollistët sovjetikë, të frymëzuar siç duket nga arritjet e paraardhësve të tyre në tre europianët e parë më 1960,1964 dhe 1968, kur kishin zënë përkatësisht vendin e parë,të dytë dhe të katërt,me dy gola të shpejtë të Litovcenkos dhe Protasovit (60’ dhe 62’)shkundën shpresat e italianëve, që nuk e kishin ngritur kokën në evropianët e futbollit që më 1968, kur ishin bërë kampionë. Dhe ja… “hakmarrja” holandeze, siç thamë në titullin e  këtij shkrimi, po në Stadiumin Olimpik të Mynihut, ku në finalen e Botërorit ‘74 portokallinjtë kishin humbur 1-2. Këtë radhë ishin ata që fituan me të njëjtin rezultat.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta “të padhunuara”,0-0. Në pjesën e dytë shënoi për gjermanët Mateusi në 55’ me 11-metërsh. Por në 74’ Ervin Komani ,vëllai i Ronald Komanit,të dy si babai i tyre Martin, futbollistë të njohur, ,barazoi dhe dy minuta para mbarimit Van Basteni nënshkroi golin e fitores. Pasi u “hakmorën “ me gjermanët, “holandezët fluturues” u  hakmorën në finale edhe me sovjetikët për humbjen që kishin pësuar në grup, (0-1)dhe që i kishte degdisur në vendin e dytë, për t’u përplasur me të zotët e këtij europiani. Fusha e stadiumit Olimpik të Mynihut u duk se u mbulua e tëra me ngjyrë portokalli dhe kjo sepse ishte kjo ngjyrë  që u nder si pëlhurë valëvitëse në fushë “duke hipnotizuar” kundërshtarët. Goli i parë i Gulitit në 32’qe një shembulli rrallë i koordinimit të kërcimit dhe goditjes me kokë, kurse i Van Bastenit i koordinimit të flurudhës së lartë  të topit që po ulej nga e majta e sulmit, me këmbën që e goditi topin aq fort, sa portieri Dasajev nuk mundi veçse të ngrinte duart lart.

Kampionët e rinj të Euro ‘88-ës u paraqitën në finale me këtë përbërje:

Van Breuekelen,Van Elre, R.Koman, Rijkard, Tigelen, Vandengurg, Myren Vuters, E.Koman, Gulit, Van Basten; Trajner Mihells, gjyqtar Votrov, (Francë).

  Golashënuesi më i mirë Van Basten, me 7 gola .

Përbërja simbolike euro ‘88:

Van Breukelen,(Holandë), Bergomi, (Itali), Koeman, (Hollandë), Raikard, (Hollandë), Maldini, (Itali); Xhanini, (Itali), Mathaus, (RF gjermane), Vvouters, (Holandë); Gulit, (Holandë),Viali, (Itali),Van Basten, (Holandë).

Dihet se me ardhjen e Gorbaçovit në fuqi, në Bashkimin Sovjetik kishte filluar era e “Perestrojkës’ (“Ristrukturimit”)  dhe “Gllasnosit”(“Çiltërsisë”). Dhe falë këtyre dy parullave që ndihmuan në hapjen e perspektivave të reja në shoqërinë sovjetike, disa nga futbollistët sovjetikë dhe pastaj edhe të vendeve të tjera të bllokut komunist, filluan të aktivizoheshin në klube perëndimore.

Kështu ndodhi me portierin Dasajev, që më 1988-1991 luajti me skuadrën spanjolle  “Sevilja”,me sulmuesin Bellanov,që u aktivizua me “Borusian” e Mynhenglabahut,(1989-1991), me mesfushorin Zvarov, me “Juventusin”(1988-1990) dhe pastaj me skuadrën franceze “Nansi”, (1990-1995).

Kishin mundësi edhe futbollistë shqiptarë që të luanin në klube të huaja. Por duhet të vinte viti 1991 që të shembej komunizmi i egër i Enver Hoxhës.

(Vijon në numrat e ardhshëm)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?