Euro U-21 2027/ Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së miraton investimin për fushat e reja të stadiumeve “Air Albania” & “Arena e Demave”
Një nga vendimet e marra nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së në mbledhjen e fundit lidhet me investimet në infrastrukturë, në kuadër të përgatitjeve për finalet e Kampionatit Europian U-21 2027, që do të zhvillohen në Shqipëri.
Komiteti Ekzekutiv miratoi kërkesën e Komisionit të Infrastrukturës për ndryshimin e tapetit të stadiumit “Air Albania” , si dhe ndërhyrjen në bazament, me qëllim përmbushjen e standardeve më të larta të kërkuara nga UEFA për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe finaleve të këtij kompeticioni.
Në të njëjtën linjë, Komiteti miratoi edhe projektin e paraqitur nga FK Partizani, që parashikon zëvendësimin e tapetit ekzistues të stadiumit, si dhe ndërtimin e dy fushave të reja stërvitore, në funksion të këtij eventi madhor.
Në bashkëpunim me klubin, FSHF do të realizojë investimin për të transformuar e fushës nga bar artificial në bar natyral, duke garantuar kushte optimale loje. Gjithashtu, një prej dy fushave të reja në kompleksin Partizani do të jetë me bar natyral, e dedikuar për seancat stërvitore të skuadrave pjesëmarrëse gjatë turneut dhe tjetra me tapet artificial.
Këto investime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe në rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të vendit, duke konfirmuar angazhimin e FSHF-së për organizimin me sukses të finaleve të Europianit U-21 2027.
Punimet pritet të nisin së shpejti, me objektivin për përfundimin në kohë dhe në përputhje të plotë me kërkesat e UEFA.
KOHA JONË SONDAZH

