Europa kërcënon me bojkot të Kupës së Botës, UEFA përplaset me FIFA-n për planin e Infantinos

Një përplasje e fortë mes UEFA-s dhe FIFA-s mund të çojë deri në bojkotimin e Kupës së Botës nga kombëtaret evropiane. Shkak është projekti i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të krijuar një kompani të re që do të menaxhojë organizimin dhe aspektet komerciale të Kupës së Botës dhe Kupës së Botës për Klube, duke shitur një pjesë të aksioneve te investitorë privatë.

Sipas raportimeve të mediave britanike, FIFA synon të krijojë kompaninë FIFA Forward Enterprise, e cila do të ketë në administrim turnetë më të rëndësishëm të futbollit botëror. Organizata do të mbajë shumicën e aksioneve, por planifikon të shesë 20 deri në 30 për qind të tyre, një operacion që mund të sjellë mbi 3 miliardë paund të ardhura nga investitorët privatë.

Plani ka hasur në kundërshtim të ashpër nga UEFA, e cila e konsideron këtë nismë si një rrezik për të ardhmen e futbollit. Në një deklaratë zyrtare, qeveria e futbollit evropian theksoi se “është kaluar një vijë që institucionet drejtuese të futbollit nuk duhet ta kalojnë kurrë”.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Shpirti dhe qeverisja e futbollit nuk janë asete që mund të tregtohen, veçanërisht pa asnjë transparencë se kush do të përfitojë financiarisht. Askush nuk është pronar i futbollit. Nuk është pronë e FIFA-s për t’u shitur”, thuhet në reagimin e UEFA-s.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas Sky News, federatat anëtare të UEFA-s do të zhvillojnë një samit urgjent virtual gjatë kësaj jave, ku në rend dite do të jetë edhe mundësia e bojkotimit të Kupës së Botës në shenjë proteste ndaj projektit të FIFA-s.

Nëse një bojkot i tillë do të realizohej, ai mund të përfshinte kombëtare të mëdha si Anglia, Spanja, Franca, Gjermania, Italia dhe vendet e tjera evropiane, duke krijuar një krizë të paprecedentë për futbollin botëror.

Raportohet gjithashtu se Federata Angleze e Futbollit (FA) nuk ishte informuar paraprakisht për këtë projekt. Edhe pse drejtues të federatave u takuan me FIFA-n para finales së fundit të Kupës së Botës, plani nuk u diskutua gjatë atyre takimeve.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, ka qenë një nga kritikët më të zëshëm të Gianni Infantino-s edhe javët e fundit. Marrëdhëniet mes dy drejtuesve janë tensionuar më tej pas polemikave për anulimin e pezullimit të futbollistit Folarin Balogun gjatë Kupës së Botës, një vendim që, sipas raportimeve, erdhi pas një bisede mes Infantino-s dhe presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas projektit, secila nga 211 federatat anëtare të FIFA-s do të përfitonte aksione me vlerë rreth 15 milionë paund, të cilat mund t’i mbajë ose t’i shesë. Gjithashtu, financimi për secilën federatë gjatë periudhës 2027-2030 pritet të rritet nga 8 milionë dollarë në 20 milionë dollarë.

Plani parashikon gjithashtu që, pas përfundimit të mandatit të tij në vitin 2031, Infantino të marrë drejtimin e kompanisë së re në një rol të ngjashëm me atë të komisionerit, me një paketë financiare që mund të arrijë në dhjetëra milionë dollarë.

Edhe nëse UEFA e kundërshton projektin, FIFA mund ta miratojë atë me shumicën e votave të 211 federatave anëtare. Megjithatë, një bojkot nga kombëtaret evropiane do të kishte pasoja të rënda sportive dhe ekonomike, duke qenë se Evropa përfaqëson pjesën më të madhe të fuqisë sportive, komerciale dhe mediatike të futbollit botëror.

Ndërkohë, burime pranë FIFA-s bëjnë të ditur se në të ardhmen po shqyrtohet edhe zgjerimi i Kupës së Botës në 64 skuadra, si dhe mundësia që turneu të organizohet më shpesh se një herë në katër vjet, ide që kanë shtuar edhe më shumë shqetësimet në komunitetin e futbollit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?