EUROPA LEAGUE/ Inter mund Getafen dhe shkon në çerekfinale, kalon edhe United (VIDEO)

Interi arriti që të fitojë 2-0 përballë Getafes në stadiumin neutral të “Gelsenklirchen”-it në Gjermani duke siguruar një biletë për në çerekfinalet e Europa Leagues.

Sfida do të zhbllokohej nga Romelu Lukaku, i cili u nis mirë drejt zonës dhe pasi fitoi dyluftimin fizik me mbrojtësin kundërshtar, gjuajti saktë dhe dërgoi sferën në rrjetë.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të zikaltërve, të cilët në fillim të 45-minutëshit të dytë i shkuan shumë pranë golit, me D’Ambrosion.  Mundësinë më të mirë për të shënuar Getafe e pati në minutën e 75-të, kur pas një krosimi në zonë, Godin largoi topin me dorë dhe arbitri akordoi 11-metërsh me ndihmën e VAR-it. Nga pika e penalltisë shkoi sulmuesi veteran Molina, i cili gjuajti jashtë kuadratit.

Dhjetë minuta nga fundi i lojës Conte hodhi në fushë fantazistin danez Cristian Eriksen, i cili u shfaq menjëherë protagonist pasi u nis në thellësi ku mori një top nga Bastoni dhe kombinoi bukur me D’Ambrossion, ndërsa më pas topi i erdhi sërish në këmbë dhe me të majtën mposhti për herë të dytë portierin e Getafes.

Nuk pati histori në sfidën tjetër të mbrëmjes së sotme, atë mes Manchester United dhe Lask Linz 2-1. Pas një pjese të parë në barazim pa gola, ishte Lask që shënoi i pari në “Old Trafford” me anë të Weisinger, por vetëm pak minuta më vonë Jese Lingard riktheu baraspeshën, ndërsa në të 88-ën francezi Anthony Martial shënoi edhe golin e fitores.

SHKARKO APP