Europa League, vjen Sporting Lisbonë dhe e merr lehtë Skënderbeun
Pesë tituj kampion radhazi dhe kualifikimi historik në grupet e Europa League. Skënderbeu ka dhuruar vërtet shumë tifozëve dhe tani ka nevojë ndoshta më shumë se kurrë për ta në ndeshjen me Sporting Lisbonë. Pas dy transfertave në grupet e Europa League, Skënderbeu kthehet sot në “Elbasan Arena”, ku shpreson të marrë një rezultat historik ndaj portugezëve. Interesi nga tifozët nuk ka munguar këtë herë detyra e tyre është për ta mbushur impiantin kombëtar në mbështetje të Skënderbeut. Kampionët e Shqipërisë kanë vendosur çmime që nuk shkojnë më tepër se 600 lekë të reja, për biletë, me qëllim që stadiumi të mbushet sot plot.
Skënderbeu
Skënderbeu nuk zbret përballë Sporting Lisbonës, si inferioer. Kampionët e Shqipërisë kërkojnë rezultatin e parë historik në fazën e grupeve të Europa League, pavarësisht forcës dhe emrit të kundërshtarit. Trajneri Mirel Josa beson te skuadra e tij. – “Ne nuk hymë në fushë për t’u mundur, pavarësisht nivelit që kanë kundërshtarët tanë. Të marrësh pikë kundër një ekipi siç është Sportingu është diçka me vlera, megjithatë premtimet nuk jepen me fjalë, por në fushën e lojës.” Tre humbje në ndeshjet e para të Grupit H, e kanë venitur disi entuziazmin për arritjen më të rëndësishme të futbollit shqiptar në rang klubesh. Por Josa kërkon vazhdimësi edhe për sezonin pasardhës. – “Kur çdo gjë nuk mbaron me ndonjë pozitivitet, siç nuk kemi mbaruar ne tani, mua s’më duket një eksperiencë e bukur. Kjo është një eksperiencë për të mësuar se çfarë duhet bërë për të qenë më kompetitivë. Dhe që të jemi kompetitiv duhet të kemi vazhdimësi në kampionat, që të përsërisim të njëjtën gjë edhe vitin që vjen”. Optimist për ndeshjen që luhet sot në Elbasan u shfaq edhe mbrojtësi Bajram Jashanica, autori i golit të vetëm të Skënderbeut në Europa League. – “Kemi ardhur deri këtu me punë dhe shpresoj që të marrim një rezultat pozitiv. Nuk është ndonjë dramë e madhe nëse e mbyllim grupin pa pikë, sepse i ka ndodhur edhe shumë skuadrave më të mëdha se Skënderbeu,”- theksoi Jashanica
Sporting
Sportingu vjen në Shqipëri në sfidën përballë Skënderbeut me objektiv fitoren. Trajneri i Sporting Lisbonë, Zhorzh Zhezus, thotë se sfida në “Elbasan Arena” do të jetë krejt ndryshe nga ajo e fituar herën e kaluar, 5-1, në Lisbonë, që u ndihmua edhe nga dalja me karton të kuq e Salihit dhe dy penallti në harkun e pak minutave. – “Sportingu ka synime të qarta në këtë ndeshje, ne luajmë për fitore. Natyrisht që e kam të qartë se kjo ndeshje e kthimit do të jetë krejt ndryshe nga ajo e Lisbonës. Objektivi ynë është i qartë: të marrim maksimumin e pikëve, në mënyrë që të kalojmë grupin. Besoj se do t’ia arrijmë qëllimit,” – theksoi Zhorzh Zhezus, i cili do të përdorë sërish rotacionin duke lënë disa emra të rëndësishëm pushim. Drejt Shqipërisë nuk udhëtuan lojtarë si Carvalho, Gutierrez e Aquilani. Mbrojtësi Naldo është në dyshim. Në formacion nuk do të jetë as Bryan Ruiz dhe Joao Pereira. –“E kemi vlerësuar maksimalisht ndeshjen, pasi nuk ka sfida të lehta. Skënderbeu është një skuadër e fort, megjithatë ata nuk kanë më shanse ta kalojnë grupin. Na mungojnë disa titullarë dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm, pasi rivalët tanë luajnë pa presion, sepse nuk kanë çfarë të humbasin.” Stërvitjen e fundit miqtë nga Portugalia e zhvilluan në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë.
Europa League – 5 nëntor
Ora 19:00
Grupi A
Ajaks – Fenerbahce
Celtic – Molde
Europa League –
Grupi B
Rubin Kazan – Liverpul
Sion – Bordo
Grupi C
Borusia D. – Qabala
Krasnodar – PAOK
Grupi D
19:00
Club Brugge – Lexhia V.
Napoli – Midtjylland
Grupi E
Dinamo M. -Vilarreal
Plzen – Rapid Vien
Grupi F
Groningen – Liberec
Marsejw -Braga
Ora 21:05
Grupi G
Rosenborg – Lazio
Saint-Etienne – Dnipro
Grupi H
17:00 Beshiktas – Lokomotiv M.
Skwnderbeu – Sporting
Grupi I
Belenenses – Basel
Lech – Fiorentina
Grupi J
17:00 Qarabag -Monaco
Totenhem – Anderlekt
Grupi K
Asteras – APOEL N.
Sparta P. – Schalke 04
Grupi L
A.Bilbao – Partizan B.
Augsburg ? – AZ Alkmaar
KOHA JONË SONDAZH

