Eurosport: Pikëpyetja më e madhe e Kombëtares shqiptare
Rrjeti i njohur, Eurosport, e ka nisur me Shqipërinë analizën për çdo ekip pjesëmarrës në Europianin e Francës.
“Të paktë janë ata që presin që Shqipëria të shkojë larg dhe jeta e tyre do jetë më e vështirë në të ardhmen pasi duhet të konkurrojë për lojtarët me anëtaren e re të UEFA-s dhe FIFA-s, Kosovën, por mbështetësit e tyre do të vijnë nga gjithë bota për të shijuar këtë verë një arritje të paprecedent”.
Sipas Eurosport, ka një pikëpyetje të madhe për Shqipërinë.
“A kanë fuqinë ata për të shënuar gola? Shqipëria shënoi vetëm shtatë herë gjatë fushatës kualifikuese, nëse heq këtu rezultatin 3-0 të marrë në tavolinë ndaj Serbisë. Të gjithë shënuesit kanë identitete të ndryshme, dhe ndërsa kjo flet për karakterin e një skuadre, është e vështirë të theksosh një lojtar që mund të vendosë ndeshjen në nivele kaq të larta. Milot Rashica, talenti 19-vjeçar i luksit, që ka bërë një sezon të shkëlqyer me Vitesen, debutoi në mars të këtij viti. Ai do e shtojë paparashikueshmërinë në një skuadër ku diçka e tillë mungon, nëse e bind De Biasi-n gjatë fushatës parapërgatitore”.
“Ndërsa Shqipëria nuk duket aq bindëse, ekipi në thelb ka eksperiencë në nivele të larta dhe do jetë e vështirë të thyhet. Lorik Cana është një kapiten frymëzues me eksperiencë në disa prej ligave të mëdha europiane, kurse Elseid Hysaj po bën emër në Seria A me Napolin, së bashku me Berat Xhimshitin e Atalantës. Taulant Xhaka, që do të përballet në mënyrë të pabesueshme me vëllanë e tij në ndeshjen hapëse, është një lojtar kyç për Bazelin dhe mund të jetë në radarin e klubeve angleze dhe gjermane këtë verë”.
Sipas Eurosport, 11-shja e Shqipërisë mund të jetë: Berisha, Hysaj, Xhimshiti, Cana, Agolli, Gashi, Xhaka, Kukeli, Abrashi, Lenjani dhe Cikalleshi.
Tre lojtarët më të mirë janë: Lorik Cana, Elseid Hysaj dhe Taulant Xhaka.
Ylli i medias sociale është Shkëlzen Gashi.
Kurse verdikti i ekspertit Jonathan Wilson është ky: “Ata luajnë 4-3-3, që shpesh bëhet 4-5-1. Ermir Lenjani, që operon në të majtë të mesfushës, shpesh është një ‘full-back’ në klubin e tij të Nantës, ndërsa në të djathtë ka një zgjedhje mes Andi Lilës, të konvertuar në ‘full-back’ dhe një lojtar më sulmues, Shkëlzen Gashi, që luan për Colorado Rapids në SHBA”.

KOHA JONË SONDAZH

