
Për Cesc Fabregas, të ndjekësh vetëm një ndeshje futbolli duket se nuk është aspak e mjaftueshme. Trajneri i Comos ka gjetur një mënyrë origjinale për të shijuar mbrëmjet e Nations League, duke ndjekur njëkohësisht tri takime të ndryshme.
Ish-mesfushori spanjoll është fotografuar përpara një televizori dhe dy kompjuterëve laptop, ku kishte vendosur të ndiqte në të njëjtën kohë tri ndeshje. Një mënyrë kjo për të mos humbur asnjë detaj nga ajo që ndodhte në fushat e futbollit, qoftë në aspektin taktik, teknik apo në zhvillimin e lojës.
Momenti pikant nuk kaloi pa u vënë re nga bashkëshortja e tij, Daniella Semaan, e cila publikoi fotografinë në rrjetet sociale, duke shoqëruar gjithçka me një koment plot humor.
“Një nuk mjafton kurrë”, shkroi ajo, duke lënë të kuptohet se pasioni i Fabregas për futbollin nuk njeh kufij.
Për trajnerin e Comos, futbolli nuk është thjesht një profesion, por një pasion që vazhdon edhe jashtë fushës së stërvitjes. Edhe në mbrëmjet kur nuk ka angazhime me skuadrën e tij, spanjolli duket se nuk dëshiron të humbasë asnjë mundësi për të analizuar dhe ndjekur lojën.
Një skenë sa argëtuese, aq edhe domethënëse për një njeri që e ka kthyer futbollin në qendër të jetës së tij.
