Fanellat e Kombëtares në “Euro 2016”, ja si do jenë
Futbollistët e ekipit kombetar shqiptar të futbollit, ishin sot të pranishëm në një ceremoni gala për të prezantuar uniformat e reja, të cilat do të vishen prej tyre në Europianin “Francë 2016”.
Ceremonia e organizuar në sallën e Universitetit të Arteve, paraqiti përpara publikut të gjerë dhe mediave uniformën e skuadrës kombëtare me një risi ndryshe. Këtë herë ajo nuk do të është thjesht e paraqitur grafikisht, por u paraqit nga vetë lojtarët e ekipit kombetar të cilët sfiluan me fanellat e reja.
Përmes një ceremonie me elementët e show-t, nisi kështu edhe rrugëtimi drejt finaleve të “Euro 2016”, ku Shqipëria do të jetë si debutuese mes 24 kombëtareve më të mira të kontinentit.
Në fjalën e tij, kapiteni Lorik Cana tha se “ndihemi krenarë që jemi pjesë e kësaj kombëtareje. Ne dëshironim të bënim një bluze unike, të cilën e kemi tashmë. Jemi krenarë që e realizuam. Eshtë një gjë e jashtëzakonshme të jemi pjesë e kësaj arritje”.
Më pas e mori fjalën trajneri De Biazi i cili u shpreh se “kjo është një bluzë unike, por brenda tyre do të jenë trupat e futbollistëve tanë. Shpresoj të mëshirohen më së miri dhe të arrijmë rezultate pozitive. Ka qenë një rrugë e gjatë për të mbërritur deri këtu dhe shpresoj të jemi më të bashkuar. Dëshiroj që fanella t’ju pëlqejë dhe shpresoj të na sjellë fat në “Euro 2016”. Fanella është e re, por nuk na ndryshon gjë nga dëshira që kemi, për ta mbajtur veshur me nder dhe krenari”.
Kurse Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, falënderoi djemtë kuqezinj duke u shprehur se: “jemi para një gare shumë të rëndësishme. Ju këshilloj ta shijoni suksesin. Jemi shumë krenarë për ju, që na dërguat deri këtu. Nëse na dërgoni edhe më tej, do të na bëni më tepër krenarë”, tha Duka.
Tre fanellat me të cilat do të luajë Kombëtarja shqiptare në kampionatin europian ‘Francë 2016’ kanë një dizajn krejtësisht të ri me një shqiponjë të vendosur në mes. Në të trija fanellat që janë në tri ngjyra, ajo tradicionale kuqezi, e dyta që është e bardhë dhe fanella e tretë që është e zezë, por me nuanca më të theksuara të shqiponjës në pjesën e përparme.
Fanella është një ndërthurje mes traditave shqiptare me shqiponjën si simbol dhe modernes, pasi dizenjo e saj është vërtetë unike. Gjithashtu në brendësi fanella ka një shkrim të veçantë në gjuhën shqipe që do të jetë frymëzues për të gjithë personat që do ta mbajnë veshur atë.
Fanellat janë dizajnuar nga Glon Bakalli dhe janë prodhuar nga “Macron”. FSHF ka bërë të ditur se ka arritur dhe një marrëveshje 6 vjeçare me Macron ka dizenjuar gjithashtu dhe fanellat e Lazios, Aston Villa-s, Paokut apo dhe Sporting-ut.
Në këtë event të rëndësishëm morën pjesë drejtues të FSHF, personalitete të artit dhe shkencës si dhe figura të rëndësishme të futbollit shqiptar që kanë kontribuar për të në vitë.
Ndërsa po sot lojtarët e Kombëtares kanë qenë edhe në “Ring Center” pranë Zogut të Zi në kryeqytet ku prezantuan fanellat e reja të kombëtares për tifozët e shumtë, të cilët kanë pasur mundësi të takojnë idhujt e tyre kuq e zi dhe të arrin autografe dhe bëjnë foto me to.
KOHA JONË SONDAZH

