Fansat dynden para katedrales në pritje të dasmës së Ronaldos, por “çifti” ishte tjetër!
Një situatë sa kurioze, aq edhe komike ka ndodhur në Madeira, ku qindra persona u mblodhën përpara Katedrales së Funchalit, të bindur se aty do të zhvillohej dasma e Cristiano Ronaldos me Georgina Rodríguez.
Lajmi ishte përhapur prej ditësh nga tabloidi britanik “The Sun”, i cili kishte raportuar se katedralja mund të ishte vendi ku çifti i njohur do të kurorëzonte dashurinë e tij. Thashethemi mjaftoi që tifozë, turistë dhe kureshtarë të dyndeshin pranë kishës, me shpresën për të parë nga afër një prej dasmave më të shumëpritura të shoëbiz-it dhe sportit.
Vetë Cristiano Ronaldo reagoi me humor ndaj situatës. Kapiteni i Portugalisë komentoi me emoji duke qeshur një postim të “Jornal da Madeira”, ku tregohej konfuzioni i krijuar përpara katedrales.
Në këtë mënyrë, ylli i Al-Nassr la të kuptohej qartë se nuk kishte asnjë ceremoni martesore të tijën atë ditë në Katedralen e Funchalit.
Dhe arsyeja e gjithë kësaj rrëmuje ishte edhe më interesante.
Në katedrale nuk po martoheshin Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez, por një çift portugez krejt i panjohur për publikun: Nicole dhe Fabio.
Çifti i ri kishte planifikuar ceremoninë e tij normalisht, por prania e qindra njerëzve, turistëve dhe gazetarëve përpara kishës krijoi një situatë të pazakontë.
Vetë Katedralja e Funchalit reagoi përmes rrjeteve sociale, duke sqaruar se pas gjithë konfuzionit të krijuar, dyert e kishës u mbyllën dhe ceremonia e Nicole dhe Fabios u zhvillua normalisht.

KOHA JONË SONDAZH

