Fatjon Kodra: Ndaj Çekisë ndeshje e veçantë, tifozët të jenë model

Emocionet e ndeshjes së mbrëmjes së sotme ndaj Çekisë sa bëhen edhe më të mëdha. Disa orë para ndeshjes drejtor i zyrës së marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin në FSHF, Fatjon Kodra, foli për Supersport për organizimin e këtij dueli të shumëpritur.

“Ndeshje shumë e veçantë, edhe në aspektin organizativ. Si kurrë më parë. Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë, me përjashtim të Brojës, i cili nuk ia doli dot të ishte i gatshëm. Përgatitjet dhe stërvitjet kanë shkuar shumë mirë. Ka interesim shumë të madh, opinioni zien, por brenda grupit situata është shumë e qetë dhe nën kontroll. Skuadra ia ka dalë të jetë larg zhurmës këto ditë.

Kontakti i skuadrës me tifozët? Masat kanë qenë të jashtëzakonshme. Lojtarët janë të ndërgjegjshëm, e dinë çfarë ndodh jashtë. Kanë takuar edhe tifozë, patjetër. Stafi teknik i ka mbajtur lojtarët larg vëmendjes. Lojtarët janë të qetë dhe të sigurt për të marrë maksimumin nga kjo sfidë.

Detajet organizative dhe bashkëpunimi me policinë e shtetit? Kemi patur koordinim shumë të ngushtë, me ministrinë e brendshme policinë e shtetit dhe kompaninë e sigurimit. Është bërë një analizë e hollësishme, kemi patur edhe takime jo publike.

Ka masa të shtuara sigurie. Do të ketë ndihmë më të madhe nga ana e policisë sa i përket kontrollit. Masat e sigurisë janë shumë të larta, do ketë kontrolle me aparatura. Ka një vëmendje goxha të shtuar. Është shumë e rëndësishme që tifozët ta mbështetin Kombëtaren siç duhet. Të jenë tifozë model. Do dënojnë edhe veten nëse gabojnë, Kombëtarja nuk është njësoj pa tifozët”, deklaroii Fatjon Kodra.

 

SHKARKO APP