Federata Serbe e Futbollit: Shqiptarët do ta paguajnë shtrenjtë, po na sulmuan
Po afron 8 tetori dhe përplasja e nxehtë e futbollit mes kombëtareve të Shqipërisë dhe Serbisë, në “Elbasan Arena”, me siguri do të jetë një “lojë e gjatë” për palën organizatore, e interesuar të mos ndodhë asnjë incident, por edhe për mysafirët.
Këtë e thonë vetë mediat e këtij vendi.
“Kurir” thotë se shumë drejtues në FSS (Federata Serbe e Futbollit) kanë frikë dhe paralajmërojnë se ekstremistët lokalë mund “të mbijnë” ku s’e pret dhe të rrezikojnë kombëtaren e delegacionin serb.
“Për shqiptarët është me rrezik të madh nëse ndodh ndonjë incident. Unë mendoj se nuk do t’ia lejojnë vetes asgjë të ndaluar, por në qoftë se ka një problem, ne kemi një skenar dhe e dimë si ta vëmë në përdorim, ashtu siç bëmë në Beograd. Edhe pse nuk jam i frikësuar nga ndonjë dhunë në Shqipëri, masat i kemi marrë për çdo lloj situate. Unë pres që FSHF-ja, që organizon këtë ndeshje, të jetë në nivelin më të lartë. Kur isha katër ditë në Maltë pata një takim të organizuar nga UEFA, ku ishin edhe presidenti e sekretari i përgjithshëm i FSHFsë. Presidenti Duka ka premtuar vendosmërisht se gjithçka do të jetë në rregull, sepse kjo është në interesin e tyre. Unë besoj se do të kemi një pritje miqësore”, pohoi për "Kurir" presidenti Tomislav Karaxhiç.
Diçka e mirë, që presidenti i futbollit serb nuk mundohet t’i hedhë “benzinë zjarrit”, edhe pse zëvendësi Goran Milanoviç, tha një ditë para tij se ekziston mundësia që autobusi me delegacionin serb të sulmohet në fshatrat mes Tiranës dhe Elbasanit.
“Çfarëdo rezultati të prodhojë ndeshja e 8 tetorit, shqiptarët do të marrin pjesë në “playoff”, ose do të shkojnë direkt në Kampionatin Europian të Francës, vitin e ardhshëm, ndaj nuk besoj se do t’ia lejojnë vetes ta humbasin një shans të tillë. Do të jetë një surprizë e madhe që kjo të ndodhë, megjithatë. Ne, gjithashtu, kishim disa takime me Ministrinë tonë të Brendshme, kemi marrë një letër nga ambasadori ynë në Tiranë, në të cilën na siguron se organizimi do të jetë i mirë nga autoritetet shqiptare dhe mbarëvajtja e ndeshjes e suksesshme”, përfundoi Karadzic për “Kurir".
KOHA JONË SONDAZH

