Fernando Torres, dy gola ndaj Realit, Simeone: U rikthye “burrë”
Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, thotë se Fernando Torres iku fëmijë dhe është kthyer “i pjekur ” në skuadër, pasi shënoi dy gola në ndeshjen e parë, pas kthimit në Madrid, në derbi ndaj Realit të Carlo Ancelotti. Lojtari i kombëtares spanjolle, 30 vjeç, u largua nga klubi ku u formua në vitin 2007 për tek Liverpul, për t’u rikthyer 8 vjet më pas, gjatë merkatos së fundit të janarit. Ai firmosi me Atleticon në fillim të këtij muaji dhe shënoi dy gola në barazimin e së enjtes në mbrëmje, 2-2, ndaj Realit brenda në “Santiago Bernabeu”, në takimin e vlefshëm për Kupën e Mbretit. Skuadra e tij arriti në çerekfinale të këtij kompeticioni, duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 4-2, pasi e kishte fituar 2-0 ndeshjen e parë. – “Ai iku, u maturua dhe tani është kthyer burrë,” – theksoi trajneri Simeone, për Torres. –“Jam shumë i lumtur me të. Tifozët janë po ashtu të kënaqur dhe mbërritja e tij ka qenë e mirë për ne, pavarësisht disa dyshimeve.” Ai erdhi në formë huazimi tek Atletiko, teksa u arrit një marrëveshje me Milan. Torres që provoi edhe dy eksperienca të tjera në Premier League me Liverpul e Çelsi, rikthehet në shtëpi, në mënyrën më të mirë të mundshme. Torres nuk kishte shënuar asnjëherë më parë në “Bernabeu” gjatë përvojës së parë me Atletikon. Dy golat e tij erdhën në fillim të secilës pjesë të lojës, duke i sjellë eliminimit Realit të Cristiano Ronaldos, nga Kupa e Mbretit. – “Ishte një mbrëmje e bukur. Një mbrëmje, për të festuar,” – tha Torres pas ndeshjes. – “Jam i lumtur që shënova dy gola në ndeshjen e parë pas kthimit dhe sidomos në një stadium ku nuk kisha shënuar kurrë më parë.”
KOHA JONË SONDAZH

