FIFA dënon rëndë Serbinë, rrezikohet që të luhet pa tifozë ndaj Shqipërisë
FIFA ka ndërmarrë masa të ashpra disiplinore ndaj Serbisë dhe Shqipërisë, duke rrezikuar që përballja e kthimit mes dy përfaqësueseve, e planifikuar më 11 tetor në Beograd, të zhvillohet pa praninë e tifozëve në stadium.
Federata Serbe e Futbollit ka njoftuar zyrtarisht përmes faqes së saj se është dënuar nga FIFA me një gjobë prej 50 mijë frangash zvicerane, si dhe me mbylljen e 15% të kapacitetit të stadiumit për ndeshjen kualifikuese ndaj Anglisë, më 9 shtator. Ky vendim vjen si pasojë e sjelljes së pahijshme të tifozëve serbë në sfidën kundër Andorrës më 10 qershor, ku janë regjistruar episode të fyerjeve raciste dhe diskriminuese.
Në një deklaratë publike, Federata Serbe ka paralajmëruar tifozët për pasojat që mund të ketë çdo sjellje e ngjashme në të ardhmen: “Jemi nën monitorimin e rreptë të FIFA-s dhe UEFA-s. Toleranca është zero për sjellje të papranueshme në stadium.”
Një tjetër detaj shqetësues i publikuar nga autoritetet serbe është fakti se në katër vitet e fundit, Federata ka paguar rreth 703 mijë euro në gjoba për incidente të shkaktuara nga tifozët e saj.
Në këtë kuadër, përballja ndaj Anglisë pritet të jetë një provë vendimtare për Serbinë. Nëse do të ketë sërish shkelje nga ana e tifozëve, ekziston rreziku serioz që ndeshja ndaj Shqipërisë në tetor të luhet me dyer të mbyllura, pa publik. Një skenar që FIFA duket se është e gatshme ta zbatojë, për të vendosur standarde të qarta në respektimin e rregullave dhe luftën kundër racizmit në stadiume.
KOHA JONË SONDAZH

