FIFA hap procedurë disiplinore ndaj Argjentinës pas pankartës për Ishujt Falkland
FIFA ka nisur një hetim për ndeshjen mes Anglisë dhe Argjentinës, pas polemikave të shkaktuara nga pankarta e shfaqur nga futbollistët argjentinas në përfundim të gjysmëfinales së Kupës së Botës.
Pas fitores 2-1 ndaj Anglisë, disa lojtarë të Argjentinës festuan duke mbajtur një pankartë me mbishkrimin “Malvinat janë argjentinase”, referuar Ishujve Falkland, territor britanik që vazhdon të jetë objekt i një mosmarrëveshjeje të gjatë mes Britanisë së Madhe dhe Argjentinës.
Në një reagim zyrtar, FIFA bëri të ditur se Komisioni i Pavarur Disiplinor po shqyrton raportet e ndeshjes dhe rrethanat përkatëse, përpara se të vendosë nëse do të ndërmerren masa të mëtejshme, në përputhje me Kodin Disiplinor të organizatës.
Sipas rregullave të FIFA-s, gjestet me përmbajtje politike zakonisht ndëshkohen me gjoba financiare dhe paralajmërime zyrtare, ndërsa sanksionet sportive konsiderohen më pak të mundshme.
Edhe më parë Federata Argjentinase e Futbollit është përballur me masa disiplinore për një rast të ngjashëm. Në vitin 2014, FIFA e gjobiti federatën me 20 mijë paund pasi futbollistët shfaqën një pankartë me të njëjtin mesazh përpara një ndeshjeje miqësore ndaj Sllovenisë.
Reagime të forta kanë ardhur edhe nga autoritetet britanike. Një zëdhënës i Doëning Street deklaroi se: “Kupa e Botës mund të mos jetë e jona, por Ishujt Falkland janë patjetër britanikë.”
Edhe qeveria e Ishujve Falkland e dënoi veprimin e futbollistëve argjentinas, duke e cilësuar atë “zhgënjyes” dhe “të pandjeshëm”, veçanërisht për banorët e ishujve që u prekën nga lufta e vitit 1982.
Ndërkohë, mbrojtësi argjentinas Gonzalo Montiel u përpoq të minimizonte përgjegjësinë e skuadrës, duke deklaruar se pankarta ishte hedhur nga tifozët në tribunë dhe më pas ishte marrë nga lojtarët.
Edhe presidenti i Argjentinës, Javier Milei, doli në mbështetje të ekipit kombëtar, duke deklaruar se futbollistët kishin të drejtë të shprehnin mendimin e tyre dhe duke lënë të kuptohet se një gjobë financiare do të ishte pasoja më e mundshme.
Mosmarrëveshja për Ishujt Falkland (Malvinat) mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Argjentinës. Territori ndodhet në Atlantikun Jugor dhe administrohet nga Britania që prej përfundimit të Luftës së Falklandit në vitin 1982, konflikt në të cilin humbën jetën 255 ushtarakë britanikë, tre civilë të ishujve dhe 649 ushtarakë argjentinas.
KOHA JONË SONDAZH

